Arrestimi i Boran Jevtiqit, reagon Sveçla: Po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë

13:27 | 17 Korrik 2025
E.H

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas arrestimit të zyrtarit policor serb, Bojan Jevtiq te Dheu i Bardhë i dyshuar për spiunazh te strukturat e sigurisë serbe.

Sveçla u shpreh se po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë teksa theksoi se arrestimi i tij erdhi pas një hetimi të gjatë nga AKI, IPK, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, transmeton Arbresh.info.

“Pas një hetimi të gjatë nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, sot është arrestuar zyrtari policor Bojan Jevtić, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje ai u shpreh se të arrestuarit e tjerë për spiunazh e kanë pranuar fajësin ndërsa theksoi se fatin e njëjtë do ta kenë kushdo që përpiqet të minoj rolin e besuar në policisë.

LEXO EDHE:

Polici i Kosovës, serbi Bojan Jevtiq është i arrestuari për spiunazh

“Ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë. Njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës. Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.

“Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe. Republika e Kosovës, si asnjëherë më parë, po e forcon sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues, dhe në këtë mision të shenjtë edhe përcaktimi ynë për përkrahje të gjithanshme të institucioneve të sigurisë ka treguar se është esenciale në ketë drejtim. Luftimi i veprimtarive të kundërligjshme do të vazhdoj sikurse jam i bindur se edhe sukseset nuk do të mungojnë!”, shtoi Sveçla./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Aksioni kundër spiunazhit, Sveçla konfirmon arrestimin e një zyrtari policor

Shpërndaje në rrjete sociale