Arrest shtëpiak ndaj 17 të dyshuarve për degradim të mjedisit përreth “Drinit të Bardhë”: U shkatërrua rrjedha e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit

19:27 | 7 Qershor 2025
E.G

Gjykata Themelore në Prizren ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: Shpejtim Likaj, Miftar Likaj, Flamur Likaj, Armend Likaj, Hasan Kalimashi, Rifat Kalimashi, Fadil Gashi, Naser Elshani, Burim Krasniqi, Ilion Shala, Faton Kalimashi, Tahir Muharremi, Sead Duraku, Valon Duraku, Haxhi Elshani, Daut Muharremi dhe Xhemajl Uka. Ndaj 17 të pandehurve që dyshohen për degradim të mjedisit në regjionin e Prizrenit përreth “Drinit të Bardhë”, Gjykata ua caktoi masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Në vendimn e Gjykatës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se masa e arrestit shtëpiak, të dyshuarve iu llogaritet nga dita e arrestimit më 4 qershor dhe do të zgjasë deri më 4 korrik.

Sipas vendimit të marrë më 5 qershor 2025, Shpejtim Likaj, Miftar Likaj, Flamur Likaj, Armend Likaj, Hasan Kalimashi, Rifat Kalimashi, Fadil Gashi, Naser Elshani, Burim Krasniqi, Ilion Shala, Faton Kalimashi, Tahir Muharremi, Sead Duraku, Valon Duraku, Haxhi Elshani, Haki Sallauka, Daut Muharremi dhe Xhemajl Uka, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Ndotja, degradimi apo shkatërrimi i mjedisit” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Kurse, Flamur Likaj dhe Armend Likaj dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në vendim thuhet se të pandehurit nuk guxojnë të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kontaktojnë me personat me të cilët nuk jetojnë apo të cilët nuk janë të varur nga të pandehurit.

Aty thuhet se nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, ndaj tyre do të caktohet paraburgimi. Policia u urdhërua t’i transferojë të pandehurit në shtëpitë e tyre, kurse zbatimi i masës së arrestit shtëpiak, do të mbikëqyret nga stacionet policore përkatëse.

Prokurori Shpend Binaj gjatë seancës dëgjimore deklaroi se mbetet në tërësi pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit. Për të pandehurin Haki Sllauka, i cili u tha se është në arrati, bëri përmirësimin e kërkesës duke thënë se gabimisht i është përvjedhur në kërkesë.

Mbrojtësi i Shpejtim Likajt, avokati Muhamet Shala e kundërshoi kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit, duke kërkuar që t’i caktohet arrest shtëpiak ose ndonjë masë alternative. Fjalën e Shalës e mbështeti edhe vetë Likaj.

Kërkesën për masën e paraburgimit e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të pandehurit Miftar Likaj, avokati Naim Cahanaj, me arsyetimin se Prokuroria nuk ka arsyetuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase. Edhe Cahanaj propozoi caktim të arrestit shtëpiak. Fjala e tij u mbështet nga i pandehuri Miftar Likaj.

Edhe i pandehuri Flamur Likaj ka mbështetur fjalën e mbrojtëses së tij, avokates Drenusha Berisha.

Mbrojtësi i të pandhurit Armend Likaj, avokati Afrim Paqarizi, tha se i mbrojturi i tij ka qenë vetëm ngasës i kamionit në ditën kritike, duke e ndihmuar xhaxhain e tij. Tha se vendi ku ishte shkarkuar zhavorri nuk është rrugë publike, por rrugë are- pronë e familjarëve të tij. Paqarizi kërkoi që të mbrojturit të tij t’i caktohet masë më e butë. Fjala e tij u mbështet nga i pandehuri Armend.

Gjatë seancës dëgjimore, edhe mbrojtësi i të pandehurit Hasan Kalimashi, avokati Blerim Mazreku kërkoi të refuzohet kërkesa e Prokurorisë. Tha se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme, gjë e cila u mbështet nga Kalimashi.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Rifat Kalimashi, avokati Durim Nevzati i mbështeti mbrojtësit tjerë dhe kundërshtoi kërkesën për paraburgim. Fjalën e tij e mbështeti vetë Kalimashi.

Njëjtë si të tjerët, edhe mbrojtësi i të pandehurit Fadil Gashi, avokati Valdrin Gashi e kundërshoi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Kërkoi t’i caktohet masa e premtimit që i njëjti nuk do të braktisë vendqëndrimin e tij ose ndalimin e afrimit të personit apo vendit të caktuar. Fjala e tij u mbështet nga vetë Gashi.

Mbrojtësi i të pandehurit Naser Elshani, avokati Esat Gutaj po ashtu kundërshtoi kërkesën për paraburgim si të paqëndrueshme. Këto fjalë i përkrahi edhe Elshani.

Ndërkaq, mbrojtësi i të pandehurit Burim Krasniqi, avokati Qëndrim Krasniqi, e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, me arsyetimin se Prokuroria nuk ka arritur ta arsyetojë dyshimin se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet. Propozoi t’i caktohet arrest shtëpiak ose ndonjë masë tjetër. Fjalët e tij u mbështetën nga Krasniqi.

Mbrojtësi i të pandehuit Ilion Shala, avokati Visar Haxhibeqiri gjithashtu kundërshtoi kërkesën për caktim të paraburgimit, duke thënë se nuk janë definuar veprimet inkriminuese individuale të të mbrojturit të tij. Shala deklaroi se e mbështet fjalën e avokatit Haxhibeqiri.

Në atë seancë, gjithnjë sipas vendimit, mbrojtësi i të pandehurit Faton Kalimashi, avokati Asman Hoxha e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke thënë se nuk i plotëson asnjë nga kushtet e parapara me Kodin e Procedurës Penale. Propozoi t’i caktohet masa e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar, gjë e cila u mbështet nga Kalimashi.

Mbrojtësi i të pandehurit Tahir Muharremi, avokati Faton Fetahu po ashtu e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke thënë se nuk i përmbush standardet kushtetuese dhe ligjore. Ai kërkoi t’i caktohet një masë më e butë. Fjala e tij u mbështet nga vetë Muharremi.

Gjithnjë sipas vendimit, mbrojtësi i të pandehurit Sead Duraku, avokati Besim Koqinaj propozoi t’i caktohet një masë më e butë Durakut, i cili e mbështeti fjalën e tij.

Mbrojtësi i të pandehurit Valon Duraku, avokati Brahim Sopaj përkrahi fjalët e avokatëve tjerë, duke konsideruar se kërkesa për paraburgim është masë e rëndë. Propozoi t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor. Deklarimin e tij e mbështeti Duraku.

Në anën tjetër, edhe mbrojtësi i të pandehurit Haxhi Elshani, avokati Xhemajl Çelaj e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke propozuar caktimin e një mase alternative. Edhe Elshani e mbështeti fjalën e tij.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit Daut Muharremi, avokati Urim Pozhegu mbështeti deklarimet e kolegëve të tj, duke kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë si masë jashtëzakonisht të rëndë. Propozoi t’i caktohet masë më e butë, gjë e cila u mbështet nga Muharremi.

Mbrojtësi i të pandehurit Xhemajl Uka, avokati Xhemil Elshani, kundështoi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke kërkuar caktimin e ndonjë mase më të butë. Fjala e tij u mbështet nga vetë Uka.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, gjyqtarja e procedurës paraprake gjeti se kërkesa është e pabazuar, por që janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Masa e arrestit shtëpiak, Gjykata vlerësoi se është nevojshme për shkak se në rastin konkret hetimet janë në fazën fillestare dhe me lënien e të pandehurve në liri ekziston rreziku i arratisjes jashtë vendit, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj. Aty thuhet se të pandehurit me veprimet e tyre kanë dëmtuar “Drinin e Bardhë”, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe duke shfrytëzuar jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr.

Gjithashtu, Gjykata vlerëson se me veprimet e të pandehurve është arritur të shkatërrohet rrjedha e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura në vende ku mund të lëvizin numër i madh i njerëzve, kështu duke shkaktuar rrezik të madh për trupin dhe jetën e njerëzve- të cilët mund të lëvizin në atë territor.

“Prandaj duke pas parasysh të lartcekurat, vendosmërinë e vazhdueshme të të pandehurve për shkatërrimin e mjedisit, pastaj duke pas parasysh personalitetin e të pandehurve të cilët janë recidivist të veprave penale të kësaj natyre por edhe të veprave penale të natyrave tjera, këto rrethana tegojnë se të pandehurit po të lihen në liri ekziston rreziku i lartë potencial që të përsërisin veprat penale të kësaj natyre”, thuhet në vendim.

Të ngjashme

Foto lajm