Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, konfirmoi Gjykata e Lartë në Suboticë për Radion Evropa e Lirë.
Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.
Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se ai aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.
Por, duke folur një ditë më herët për gazetarët në Prishtinë, Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.
Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që, sipas tij, do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë nuk u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me këtë rast dhe me pretendimet e avokatit.
As Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes se kur është larguar Spahiu nga shërbimi.
Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.
Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës, autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.
Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.
Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.
Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.
Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.
LEXO EDHE:
Osmani u bën thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në vo...
Lulzim Hetemi voton: Shteti ndërtohet me përgjegjësi qytetar...
KQZ njofton se deri në orën 15:00 kanë votuar 24,91% e qytet...
Shqipe Selimi voton bashkë me djalin: Bëje edhe ti pjesën të...
Kryetari i KQZ-së deklarohet sërish për problemet me rrymë n...
Pacolli: Sot të votojmë për lirinë, jo vetëm për pushtet