Google ADS

Apeli në Hagë rrit dënimet për dy bashkëpunëtorë të Millosheviqit

15:05 | 31 Maj 2023

Gjyqtarët e apelit të OKB-së rritën ndjeshëm dënimet e dy bashkëpunëtorëve të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, duke i konsideruar ata përgjegjës për përfshirje në krime në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në një qytet në Kroaci.

Ata u cilësuan si anëtarë të një plani të përbashkët kriminal për t’i dëbuar joserbët nga këto zona, gjatë luftërave ballkanike të viteve të 90-ta.

Dhoma e apelit në Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale përmbysi vendimin për t’i liruar ata nga akuzat për përfshirje në këtë plan kriminal dhe rriti dënimet për Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq nga 12 në 15 vjet.

Gjykatësja kryesuese, Graciela Gatti Santana, tha se të dy burrat, tani në të 70-tat, “ndanë synimin për ta çuar përpara qëllimin e përbashkët kriminal për t’i larguar me forcë dhe përgjithmonë shumicën e jo-serbëve nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës nëpërmjet kryerjes së krimeve për të cilat akuzohen në aktakuzë”.

Ky vendim i Apelit i jep fund gjykimit më të gjatë të krimeve të luftës që daton nga luftërat ballkanike të fillimit të viteve 1990.

Millosheviq ishte gjykuar për krime lufte në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë në vitet 1990, por kishte vdekur në qelinë e tij në vitin 2006, derisa ishte endë në proces gjyqësor.

Kryeprokurori i Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykata Penale, Serge Brammertz, e quajti vendimin për rritjen e dënimeve për dy bashkëpunëtorët e Millosheviqit “me të vërtetë të rëndësishëm”.

“Ky është i vetmi vendim që kemi ku zyrtarë nga Beogradi janë të dënuar si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, tha ai.

Stanishiq ishte në gjykatë gjatë seancës dëgjimore, ndërsa Simatoviq e ndoqi atë përmes një video-lidhjeje nga një njësi paraburgimi e OKB-së.

Gatti Santana e quajti vendimin e Apelit një “një moment historik” për gjykatën, e cila merret me çështjet e mbetura nga gjykatat e krimeve të luftës të OKB-së, që tashmë u ka përfunduar mandati, për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën

Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan dy vjet më parë për ndihmë dhe nxitje për vrasje dhe krime të tjera të kryera nga paraushtarakët serbë në vitin 1992 në qytetin Bosanski Samac në Bosnjë e Hercegovinë, por u liruan nga përgjegjësia për krime të tjera.

Dhoma e Apelit i anuloi të dyja këto vendime dhe rriti dënimet e tyre.

Stanishiq, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, dhe Simatoviq, zyrtar i lartë i inteligjencës në këtë shërbim, janë të vetmit zyrtarë serbë që janë dënuar nga një gjykatë e OKB-së për përfshirje në krime në Bosnje e Hercegovine.

Stanisiq dhe Simatoviq fillimisht ishin liruar një dekadë më parë nga gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Jugosllavi, por një Gjykatë e Apelitnmë vonë urdhëroi një rigjykim.

Brammertz tha se gjyqet për krimet e luftës do të vazhdojnë në Ballkan pasi shumë viktima dhe të mbijetuar ende presin drejtësinë.

“Për ne, ishte rasti i fundit”, u tha Brammertz gazetarëve. “Por ne e dimë se ka qindra raste që ende duhet të ndiqen penalisht brenda vendit”.

Munir Tahiroviq, udhëheqës i një shoqate të viktimave të luftës dhe gjenocidit, tha se ai kishte pritur 30 vjet për një vendim që lidh Beogradin me krimet e kryera në vendin e tij.

“Ky gjykim vërtetoi gjithashtu se Serbia ka kryer agresion jo vetëm ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, por edhe ndaj Kroacisë,” tha ai./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme