Apeli  hudh poshtë aktakuzën ndaj Agim Bahtirit dhe dy të tjerëve

14:17 | 22 Mars 2017
Gita

Gjykata e Apelit ka hudh poshtë aktakuzën ndaj kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, Gazmend Kelmendit dhe Haxhimet Feratit.

Sipas njoftimit të Apelit, vendimi është marr në seancën e kolegjit të mbajtur me 27.02.2017, ku kolegji ka aprovuar si të bazuara ankesat e të pandehurve tre të akuzuarve kundër aktvendimit të Gjykatës  Themelore në Mitrovicë, të datës 28.12.2016.

“Aktakuza e cila i ngarkon ata për veprat penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, (A.B. dhe H.F. ) dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender, (G.K.), e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është hudhur. Procedura penale ndaj tyre është pushuar”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Kjo gjykatë, bën të ditur se duke pasur parasysh provat në bazë te të cilave është ngritur aktakuza, vlerëson se në rastin konkret ato nuk mbështesin dyshimin e bazuar mirë se te pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Prandaj konform dispozitës se nenit 250 paragrafi 1, nën paragrafi 4 të Kodit të Procedurës Penale, hudhet akuza dhe pushohet  procedura penale në këtë çështje./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale