Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të dënuar nga Themelorja me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku), për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj avokat Artan Qerkini, Nebih Shatri avokat Florent Latifaj, Eset Berisha avokat Afrim Salihu, Besim Tahiri avokat Urim Vokshi, dhe ankesa e vet të akuzuarit Eset Berisha, e sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special PS.nr4./2022 të datës 31.01.2024, dhe çështja penale kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndërsa, sipas Apelit, ankesa e Prokurorisë Speciale është e paobjekt.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 31 janar 2024 nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore ka bërë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që të shqiptohet një dënim më i lartë me burgim.
Në përgjigje të kësaj ankese, mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur kundërshtimet e tyre. Konkretisht, avokati Artan Qerkini, për të akuzuarin Pal Lekaj, avokati Urim Vokshi, për Besim Tahirin, si dhe avokati Eset Berisha kanë kundërshtuar ankesën e Prokurorisë.
Për më tepër, avokati Qerkini ka parashtruar ankesë për shkelje esenciale të procedurës, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje të ligjit penal, duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim. Një ankesë të ngjashme ka bërë edhe avokati Florent Latifaj për Nebih Shatrin, avokati Afrim Salihu për Eset Berishën dhe avokati Urim Vokshi për Besim Tahirin. Berisha, në mënyrë të pavarur, ka paraqitur ankesën e tij me të njëjtat pretendime, duke kërkuar rigjykim ose lirimin nga akuza.
Prokuroria e Apelit ka kërkuar që ankesa e Prokurorisë të aprovohet si e bazuar, ndërsa përgjigjet e avokatëve dhe ankesat e tyre të refuzohen si të pabazuara.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë përmban shkelje esenciale të procedurës penale, siç pretendojnë mbrojtësit e të akuzuarve, dhe gjithashtu përmban shkelje që gjykata i shqyrton sipas detyrës zyrtare.
Kolegji i gjyqtarëve ka konstatuar se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsyetime të mjaftueshme mbi faktet vendimtare, veçanërisht për sa i përket rrethanave që përbëjnë elementet e veprës penale.
Gjykata e Apelit ka vërejtur se nuk është specifikuar cilat dispozita të ligjit për Prokurimin Publik janë shkelur nga të pandehurit Lekaj, Berisha, Shatri dhe Tahiri. Në dispozitivin e vendimit konstatohet se të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë shkelur ligjin penal, por nuk është specifikuar se cila dispozitë është shkelur, duke e bërë të paqartë nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve apo mosplotësim të detyrave zyrtare.
Në vendim thuhet se: “Gjykata konstaton se të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat duke shkelur ligjin e Prokurimit Publik, por nuk specifikon se cila dispozitë është shkelur, gjë që e bën aktgjykimin në kundërshtim me nenin 384, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 të Kodit të Procedurës Penale.”
Gjithashtu, gjykata vëren se mungon një përshkrim i qartë i kompetencave të të akuzuarve për të konstatuar nëse ata i kanë tejkaluar ato. Apeli thekson se tejkalimi i kompetencave duhet të përcaktohet sipas detyrave të punës të një personi zyrtar, të cilat janë të rregulluara me ligje ose akte nënligjore.
Lidhur me efektin e Statutit dhe Kodit të Mirësjelljes së Komitetit Ndërministror, Apeli ka konstatuar se nuk ekziston një vendim zyrtar për miratimin e tyre.
Sa i përket kompanisë mbikëqyrëse të projektit “Hill International”, Apeli ka gjetur se Gjykata Themelore nuk ka arritur të provojë se kjo kompani kishte të drejtë të mbikëqyrte edhe punët shtesë të projektit, përveç atyre të parashikuara në kontratën bazë për ndërtimin e autostradës. Themelorja nuk ka sqaruar mbi cilat baza ligjore ka kalkuluar shpenzimet financiare për këto punime shtesë.
Për sa i përket pretendimit se të akuzuarit kanë kryer veprën penale në vazhdimësi, Apeli ka konstatuar se ky pretendim nuk qëndron, pasi të akuzuarit kanë qenë të përfshirë vetëm në nënshkrimin e marrëveshjes për shtyrjen e afatit të punimeve.
Rekomandimet për rigjykim
Gjykata e Apelit ka kërkuar që Gjykata e Shkallës së Parë të administrojë provat dhe të eliminojë shkeljet e konstatuara lidhur me faktet vendimtare.
Ndër të tjera, Apeli ka kërkuar që:
Ky vendim i Apelit kërkon që në rigjykim të rishikohen dhe të administrohen prova shtesë për të siguruar një vlerësim të plotë të çështjes.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
“Drejtësi, jo politikë!” – Hamza shpërndan pamje nga përgati...
Shën Valentini mes natyrës: Rama ndan një zemër nga Banjat e...
Rubio thotë se SHBA-ja dhe Evropa janë bashkë
Hovenier: Kosova humbi disa mundësi për 1 vit, anëtarësimi n...
Mbi 1 mijë e 300 biznese u shuan gjatë vitit 2025, dominon m...
“Askush mbi klubin”, Luis Enrique me nervozizëm i vendos vij...