AME: Niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie, nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja

12:40 | 8 Janar 2026
E.K

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dalë me përditësim rreth situatës me vërshimet, ku ka thënë se ka përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.

Sipas AME-së, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe se nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.

Por, theksohet se reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor në disa zona.

“Disa rrugë mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në situate”, thuhet në njoftim.

Më poshtë gjendja sipas rajoneve

-Prishtinë & rrethinë: Vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore; situata mbetet e menaxhueshme.

-Prizren: Gjatë natës janë raportuar shumë pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike.

-Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; në Mitrovicën e Jugut janë evakuuar disa familje përkohësisht si masë sigurie.

-Pejë: Dy intervenime të raportuara në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; në komunat tjera gjendja stabile.

-Gjakovë & Gjilan: Situatë e qetë dhe nën kontroll; rënie e nivelit të ujit në lumenj.

-Njësit Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në gjithë vendin janë të mobilizuar për ndihmë qytetarëve pa dallim.

-Sistemi i Komunikimit Emergjent 112 me Qendren Operative të Agjencise është në monitorim dhe koordinim të vazhdueshëm të situatës 24/7.

“Agjencia e Menaxhimit Emergjent përveç reagimit me forca operative në mbarë vendin, ka mbështetur KEK-un dhe KOSTT-in me pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura, të cilat janë ende në funksion sipas nevojës

Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë për reagim dhe koordinim, ndërsa situata vazhdon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme 24/7 nga sistemi i komunikimit emergjent 112”, theksohet në fund të njoftimit.

Shpërndaje në rrjete sociale