Ambasadorja DiCarlo: Kosova duhet të mbyllë kapitullin e luftës së vitit 1999

19:01 | 25 Maj 2015
M. A.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Rosemary DiCarlo, ka vlerësuar se është tejet e rëndësishme që Kosova ka vendosur themelimin e Gjykatës Speciale, meqë duhet mbyllur një herë e mirë kapitulli i luftës së vitit 1999.

Ajo thotë se SHBA-ja dhe BE-ja do të jenë në mbështetje të vendimeve të Kosovës.

Diplomatja amerikane, thotë se vendimi për formimin e Gjykatës Speciale, tregon një pjekuri të liderëve, sepse Kosova duhet të përmbyll një herë e mirë të gjitha konfliktet e vitit 1999.

“Mendoj që është shumë më rëndësi që Kosova ka vendosur ta adresojë këtë çështje sepse është shumë e rëndësishme të mbyllet kapitulli i konflikteve nga fundi i vitit 1999. Kjo tregon një pjekuri të liderëve kosovarë që po ecin përpara”, tha DiCarlo.

Diplomatja amerikane e pyetur nëse është e drejtë për Kosovën themelimi i kësaj gjykate, ajo tha se është e rëndësishme se liderët e Kosovës po diskutojnë për këtë çështje dhe t’i japin fund pretendimeve të bëra.

“Mendoj që liderët e zgjedhur të Kosovës po e diskutojnë këtë çështje tani dhe do të vendosin dhe fakti që kanë punuar shumë dhe ngushtë me përfaqësuesit e BE-së dhe ShBA-ve në këtë çështje është shumë më rëndësi për ta për t’i adresuar pretendimet e bëra dhe t’i japin fund kësaj”, shtoi ajo.

Ajo nuk ka komentuar shumë mundësinë e themelimit të Speciales nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në rast se dështon Kuvendi i Kosovës ta bëjë një gjë të tillë. DiCarlo tha se është shumë me rëndësi që kjo çështje po diskutohet mes liderëve të Kosovës dhe përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së.

“Çka duhet të bëjmë tani është që të fokusohemi në vendimet e Kosovës për të punuar bashkë me BE-në, me ShBA-të në këtë çështje dhe siç thashë, e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe shpresoj që bashkëpunimin do të vazhdojë”, theksoi DiCarlo.

DiCarlo megjithatë, ka vlerësuar përparimin e bërë nga Kosova në drejtim të anëtarësimit në strukturat euro-atlantike dhe se SHBA-të dëshirojnë të shohin Kosovën duke përparuar sa më shumë në këtë drejtim.

SHBA-të deri me tani i kanë dhënë mbështetje formimit të Gjykatës Speciale, e cila do t’i hetojë pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty.

Shpërndaje në rrjete sociale