Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë thellësisht të shqetësuara për situatën aktuale në veri të Kosovës.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Serbi sot, kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku kanë kërkuar urgjentisht heqjen e barrikadave në veriun e Kosovës të vendosura nga serbët lokalë.
“Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale. Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy ambasadave.
Dy ambasadat presin që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. “Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Ato i bëjnë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese.
“Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese” thuhet në deklaratën e përbashkët të Ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Serbi.
Edhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke e shpërndarë deklaratën e dy ambasadave në Twitter ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Muriqi thirrje tifozëve: Tash është koha për t’u bashkuar, j...
Zjarri në një shtëpi në Gracë të Vushtrrisë, vdes një 80 vje...
Trump kërcënon të aktivizojë “Aktin e Kryengritjes”
Arrestohet brenda pak orësh i dyshuari për vjedhjen e një ve...
Po e pyet ChatGPT-në për shëndetin? Ja kur është ide e mirë ...
Zjarr në një shtëpi në Gracë të Vushtrrisë, dyshohet për një...