Google ADS

Albin Kurti përkujton Imzot Mark Sopin në 14 vjetorin e vdekjes: Misionar i bashkëpunimit e i bashkëjetesës, i paqes dhe i pajtimit

13:58 | 11 Janar 2021
Arbresh.info

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, e ka përkujtuar ipeshkvin e parë të Kosovës Imzot Mark Sopi, në 14 vjetorin e vdekjes.

Kurti tha se Sopi ka kontribuar në lidhjet e katolikëve të Kosovës me katolikët e vendeve të tjera, shkruan Arbresh.info.

Kurti e vlerësoi atë si misionar i bashkëpunimit e i bashkëjetesës, i paqes dhe i pajtimit.

“Në këtë datë, 14 vite më parë, ndërroi jetë ipeshkvi i parë i Kosovës së lirë, Mark Sopi. Mark Sopi, nga juglindja e Kosovës (Binça e Vitisë) bir i shquar komunitetit katolik shqiptar të Kosovës, ka kontribuar shumë si klerik e si qytetar, për kombin, shoqërinë e shtetin tonë. Andaj ai kujtohet me nderim të thellë nga të gjithë ne”.

“Mbi të gjitha do të mbahet mend si kleriku i cili u emërua qysh në 1995 ipeshkv i Kosovës prej Papës Gjon Pali II, si pasardhës i Nik Prelës, por që gjatë jetës së tij Kisha Katolike e Kosovës fitoi mëvetësinë, duke u ndarë prej dioqezës Shkup-Prizren dhe duke u themeluar si dioqezë Prizren-Prishtinë, nën varësi direkte prej Papës në Romë. Mëvetësia e dioqezës katolike të Kosovës është një hap që kontribuon në forcimin e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës”.

“Po ashtu, Mark Sopi ka kontribuar në forcimin e lidhjeve të katolikëve shqiptarë të Kosovës me katolikët shqiptarë të vendeve të tjera, sidomos të Shqipërisë, vend ku ai vetë shërbeu menjëherë pas rënies së diktaturës. Kombi kishte rëndësi jetike për Mark Sopin, i cili punoi fort kundër atyre që dëshironin përçarje fetare mes shqiptarëve. Në një intervistë të tij që kam lexuar, kur e pyesin për një incident të pahijshëm në varrezat katolike të Prizrenit, ai thotë se me qëllim nuk e kishin problematizuar atë incident, sepse kushdo që e ka bërë, burimi i incidentit është Beogradi. Ai e thoshte kudo, se shqiptarët kanë një komb, i respektojnë e i ruajnë vlerat fetare të njëri-tjetrit, dhe kurrë nuk lejojnë të përçahen. Edhe në senatin amerikan, në vitin 2005, ai e mbrojti kombin shqiptar, duke hedhur poshtë tezat se Kosova do të ishte një vend i radikalizmave dhe i urrejtjeve fetare. Veç kësaj, ai vazhdimisht kujdesej për të dhënë mesazhin tonë kombëtar tek komuniteti ndërkombëtar, dhe pas çlirimit kujdesej që të kërkonte bashkimin e Mitrovicës e të hapte çështjen e Kosovës Lindore, sa herë që i jepej mundësia”.

“Misionar i bashkëpunimit e i bashkëjetesës, i paqes dhe i pajtimit, i pavarësisë dhe i kombit, i lirisë dhe i demokracisë, ipeshkvi Mark Sopi është i paharrueshëm, dhe pjesë e panteonit të klerikëve patriotë shqiptarë të të gjitha feve tona tradicionale”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme