Google ADS

Albin Kurti: Nevojitet një “Republikë e tretë” Social Demokratike

16:29 | 11 Mars 2015
Arbresh.info

Forumi Fol Hapur, pati sot diskutim me Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurti në forumin Fol Hapur u pyet për tri tema apo çështje: Qëndrimet e VV-së për modelin aktual të zhvillimit ekonomik, cili do të duhej të ishte dialogu i shoqërisë kosovare, dhe ideja e fundit e Vetëvendosjes për “Republikën e tretë”.

Ai këto tri tema i paraqiti në formën e 9 tezave, nën titullin “Dialog për Republikë të Zhvillimit”.

Ish-lideri i VV-së diskutimin e filloi me shprehjen “Ti ma merr jetën, kur mi merr mjetet e jetesës”, pjesë kjo nga Tregtari i Venedikut e dramës së Shekspirit.

Temën për ekonominë, e nisi me varfërinë dhe papunësinë, duke e kritikuar futjen e Neo Liberalizmit si doktrinë, që sipas tij e ka reduktuar tranzicionin në privatizim, zhvillimin në infrastrukturë dhe infrastrukturën në asfalt. Ai përmendi që zhvillimi duhet të fillojë nga brenda në mënyre që pastaj të ndihmohesh prej të tjerëve. Në këtë moment 90% të investimeve direkte të huaja në botë, shkojnë në vendet veçse të zhvilluara. Sipas Kurtit, nuk bëhesh atraktiv për investime të huaja të cilat të zhvillojnë, sepse është zhvillimi yt ai që të bënë atraktiv për investime të huaja. Kosova në fakt nuk i investon as parat e veta, ku 600milion të fondit të privatizimit, 800milion të trustit të pensioneve dhe 2miliardë euro të bankave komerciale, që të gjitha shkojnë jashtë vendit. Derisa në sektorin në privat duhet ndihmë nga shteti që të përparojë dhe duhet inkurajuar prodhimtaria në bujqësi, zejtari e industri.

Kritikoi, e në një mënyrë edhe akuzoi të gjitha qeveritë e pasluftës se bashkëpunojnë “tepër” ngushtë me bizneset apo korporatat e mëdha.

“Kjo nuk do të thotë që bashkëpunimi të mos ekzistojë, madje duhet të jetë goxha i madh. Por, jo në mënyrën në të cilën kur i sheh në restorante bashkë ministrat dhe biznesmenët, dikush që nuk i njeh, nuk mund ta dalloj cili është cili”, tha Kurti.

Me temën e dialogut dhe pakicës serbe, ai përmendi çështjen e decentralizimit i cili është bërë mbi bazën e ndarjes etnike, ku shqiptarët janë me shqiptarë, e serbët me serbë. Duhet të kalojmë në decentralizim për zhvillim, i organizuar rreth punës së prodhimit. Normalisht që për dialogun pa kushte për Serbinë, Vetëvendosje mbetet kundër.

“Edhe katër vite pas fillimit të këtij dialogu, ende nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por ka dy normalizime tjera dhe një abnormalizim. I pari është ai në mes Serbisë e BE-së, i dyti është Vuçiq-Daçiq me Mustafa-Thaqi, kurse abnormalizimi është ai ku shteti i Kosovës nuk po integrohet në BE, por brenda tij po integrohet Serbia. Kurti vazhdon të besoj se, ne kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës, pra që të jetë i hapur e demokratikë, e jo i mbyllur e diplomatik sikurse ai në Bruksel”.

Në idenë e “Republikës së tretë”, Kurti filloi nga 2 korriku i 1990 kur u shpall sipas tij “Republika e parë e Kosovës”, e cila ishte për rezistencë në kushtet e okupimit. Më 17 shkurt 2008, u shpall Pavarësia e Kosovës si Republikë dhe tash më qartë se kurrë, shihet qe ishte një Republikë për shitje. Në këtë “Republikën e dytë” Albin Kurti tha po ashtu se, qytetarët e panë çizmen dhe shqelmin e shtetit, por jo edhe ndihmën dhe dorën e shtetit.

“Pra, këtu vjen ideja e nevojës për një “Republikë të tretë”, e cila është për zhvillim, dhe e cila bëhet më parë sesa që shpallet. Pas 15 viteve me qeveri të djathta, qytetari po detyrohet të ik nga vendi ose të protestojë kundër qeverisë, e protestat kohëve të fundit po janë edhe nga dy e më tepër në një ditë. Pra, duhet provuar Social Demokracia, duhet provuar një qeveri e majtë”, u shpreh ish-lideri i Vetëvendosjes.

Albin Kurti

I pyetur për sqarim të kësaj “Republike të tretë” Social Demokratike, ai mori si shembull përafërsinë e qeverisjes së majtë siç e mendon Vetëvendosja, me Partinë Demokratike të Barak Obamas, Partinë Socialiste në Francë, pastaj me SPD-në Gjermane, apo Partinë Laboriste në Britaninë e Madhe.

Një nga pyetjet e adresuara ishte edhe ajo për Gjykatën Speciale, se cili do të jetë reagimi i Vetëvendosjes kur do të sillet në kuvend. Ai tha që për momentin është herët për të thënë. Do të jetë edhe një gjykatë më shumë dhe nuk do të zgjidh asgjë më tepër se sa që kishte bërë së pari UNMIKU , e pastaj edhe EULEX-I. Por, sipas tij nëse dikur mllefi i aktivistëve të Vetëvendosjes ishte më madh se ai i qytetarëve, që nga protestat e fundit të opozitës është e kundërta. Pra, mllefi qytetarë është shumë më i madh tani, se sa i aktivistëve të VV-së. Kështu që, protestat edhe mund të ndodhin, tha Albin Kurti. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale