Albin Kurti: Ndajmë besimin se puna dhe djersa jonë vlerësohet

07:41 | 15 Janar 2021
M. A.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka publikuar fjalimin e plotë dhënë gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku i ka falenderuar për nominimin si kandidat për kryeministër.

Fjalimi i plotë:

I nderuari kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Hydajet Hyseni,
Të nderuar delegatë,
Të dashur aktivistë,
Qytetarë të Republikës,

Me mirënjohje të thellë dhe me përulësi pranoj dhe ju falenderoj për nominimin tuaj për të qenë kryeministër i Republikës së Kosovës.

Në shtator të vitit 2019 ne u takuam së bashku në një ngjarje me rrethana të ngjashme porsi kjo. Një palë zgjedhje të përgjithshme prej të cilave varet mirëqenia e qytetarit dhe e ardhmja e republikës. Po ngjisnim shkallët e të njëjtit proces politik, emancipues dhe institucional.

Prandaj, para se të flas për të ardhmen që na pret, më lejoni të flas shkurtimisht për të kaluarën e afërt, që ishte më parë sesa e ngopur, në fakt e stërngarkuar në ngjarje dhe mendim, e që ka shkaktuar rizgjim tërësor të opinionit publik.

Në zgjedhjet e fundit si rrallë herë kishim mundësinë për ndryshime të mëdha, të ndryshonim mendësinë e qeverisjes në vend. Kishim mundësinë të fillonim reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë. Të çlironim institucionet prej kapjes së përgjithshme të shtetit. Të rivendosnim lidhjen e ekonomisë me punën e të punës me arsimin, pra të integronim qytetarët me republikën dhe në këtë mënyrë të nxirrnim vendin nga kriza e të vendosnim atë në binarët e progresit. Për më tepër, lindi mundësia t’i jepej fund dy dekadave të pasivizimit të njerëzve dhe korruptimit të institucioneve tona, rënies së brendshme të shtetit nga reflektim në dhunë dhe dëmtimit të jashtëm të subjektivitetit prej pavarësisë dhe sovranitetit në cënim të integritetit territorial, institucional dhe njerëzor.

Qytetarët ishin të gatshëm, dhe bashkë me ta ne shënuam në histori 6 tetorin e vitit 2019 me numër rekord të daljes në zgjedhje. Qytetarët pra, morën përsipër përgjegjësinë që u takonte.
Rezultatin e atyre zgjedhjeve tashmë e dimë të gjithë. Partneri ynë i koalicionit qeverisës të cilin na e përcaktuan qytetarët, partia që premtoi ndryshime dhe shkëputje nga e kaluara i theu ato dhe u kthye në gjirin e PAN-it, të PAN hajnisë, duke e bërë PAN-in PLAN jo vetëm për të rrënuar koalicionin tonë qeverisës por edhe duke shkelur mbi shpresën e qytetarëve për ndryshim.

LDK braktisi rrugëtimin e përbashkët. Braktisi luftën ndaj korrupsionit, punoi kundër vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, theu mirëbesimin e ndërtuar në dy vjet si opozitë e përbashkët dhe shkeli mbi muaj të tërë të ndërtimit të programit qeverisës. Madje shkoi deri aty sa tradhëtoi dhe braktisi edhe kandidaten e saj për kryeministër.

LDK dëshmoi përfundimisht se forca që e tërheq atë drejt qeverisjes së errët me PAN hajninë është më e fortë se çfarëdo dëshire që mund ta ketë ndokush brenda saj për interesin e përgjithshëm për perspektivë drejt së ardhmes.

Sot, secilit qytetar të Kosovës, kudo që ai ose ajo jeton, i kujtohet nata e 25 marsit. I kujtohen duart e zgjatura të atyre që votuan rrëzimin e qeverisë në kulmin e pandemisë.

25 marsi na dëshmoi atë që të gjithë e dinim por që shpresonim që pas 6 tetorit kishte ndryshuar.

Nga ne kërkohej që të bëjmë kompromis me të drejtën dhe të vërtetën. Por ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk mund të bëjmë kompromis as për votë e as për pushtet, as atëherë as sot e as kurrë.

Ne jemi Lëvizje: meqë ecim përpara, nuk mund të kthehemi prapa. E rrugën përpara e dimë të gjithë. Në këto zgjedhje është bashkimi i të gjithë qytetarëve si kurrë më parë rreth projektit tonë të përbashkët për ta bërë Kosovën atdheun që të gjithë e dëshirojmë.

Me 14 shkurt na është dhënë një shans i dytë dhe kësaj radhe nuk rrezikojmë më sepse tanimë shoqëria jonë e ka parë, dhe e ka kuptuar dhe e ka mësuar se kush është ndryshimi i vërtetë. E ky ndryshim e ka emrin Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Ne jemi të gjithë në të njëjtin projekt, atë që kemi pas kaherë. Është ky projekti i dëshmorëve të luftës dhe ndërtuesve të paqes. I atyre që rezistuan, i atyre që u flijuan, i atyre që u vranë e u burgosën, vetëm që ne të kemi lirinë dhe shtetin tonë. Është projekti i fëmijëve dhe të rinjve që kërkojnë përspektivë dhe progres. I prindërve e sidomos grave që kërkojnë punë dhe i mërgatës që dëshiron të kthehet e të investojë në vendin e vet.

Sepse, vërtetë, ne zgjedhim rrugë të ndryshme në jetë por ndajmë ëndërra të përbashkëta sepse kemi të njëjtin atdhe. Besimin se puna dhe djersa jonë vlerësohet. Dëshirën që të jemi të barabartë në mundësi dhe në shanse pa paragjykuar prejardhjen tonë. Shpresën se kur një ditë të shikojmë fëmijët tanë në sy të jemi të bindur se ne, që kishim mundësinë të ndërtonim një shtet më të drejtë e më të barabartë, dhamë gjithçka nga vetja jonë. Ëndrrën ku ndërtojmë e zhvillojmë një vend që të jetojmë krenarë dhe të udhëtojmë të qetë nëpër botë, pa drojën e zhgënjimit dhe pa turpin e stigmës.

E sot ndodhemi në një pikë historike për republikën. Është momenti kur e ardhmja e vendit tonë varet nga vendimi dhe veprimi i secilit prej nesh. Kujtojmë se sa herë që votimi ynë nuk është shprehur në përfaqësim të dinjitetshëm të republikës e për kombin ne nuk kemi patur fatin e të qenit në histori. Andaj, mendojeni dhe peshojeni mirë këtë moment ju lutem.

Nëse pas 20 vjetësh fëmijët e Kosovës do të na pyesin se ku ishim ne, kur mundësia për ndryshim ishte në dorën tonë, çfarë përgjigje do t’ju japim atyre? Me 14 shkurt ne kemi shansin t’i përgjigjemi me krenari kësaj pyetje. Secili nga ne do t’u themi se PO, unë isha aty, në vendin e duhur, në ditën e duhur kur fati dhe e ardhmja e vendit tonë varej nga një votë dhe Unë, bëra zgjedhjen e duhur. Iu përgjigja thirrjes për ndryshim, dola në zgjedhje dhe votova Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Andaj kapeni këtë moment. Të rinj e të moshuar, vajza dhe djem, gra dhe burra, mërgimtarë e qytetarë të Kosovës kudo që jeni, që të gjithë bashkë duhet t’i përgjigjemi thirrjes për ndryshim dhe shtetndërtim, me votë, me 14 shkurt, sepse një e ardhme e ndritur po na pret të gjithëve.

Dhe cila është kjo e ardhme?

Është e ardhmja ku fëmijët tanë marrin edukimin që meritojnë për t’u punësuar në një botë konkuruese dhe ku njohim intelegjencën e tyre.
E ardhmja ku investojmë në energji të qëndrueshme që fuqizon bizneset dhe prodhimin por mbron shëndetin dhe mjedisin për gjeneratat që vijnë.
E ardhmja ku biznesit nuk i vendoset ryshfeti për ta hapur e as haraçi për ta mbajtur atë.
E ardhmja ku bujku dhe fermeri jetojnë me dinjitet nga puna e tyre sepse shteti nxit dhe mbështet prodhimet vendore dhe i mbron nga konkurenca jolojale, duke vendosur masa të reciprocitetit dhe duke hapur dyert e eksportit.
E ardhmja ku secili qytetar, pavarësisht sa fiton, merr trajtimin e duhur shëndetësor. Jeta e secilit qytetar është e vlefshme dhe e barabartë njëlloj.
E ardhmja ku kemi një sistem të drejtë të taksave dhe ku ata që janë më me fat e fitojnë më shumë, ndajnë mirëqenien me ata që janë më keq e që janë në fund.
E ardhmja ku shteti lufton pabarazitë e çdo lloji, e sidomos pabarazitë historike dhe shoqërore në mes burrave dhe grave, mes qendres dhe periferisë, mes qytetit dhe fshatit, sepse në shtetin e së drejtës secili është i barabartë në mundësi dhe të drejta. Sepse të drejtat e barabarta nuk kanë kuptim pa mundësitë e barabarta. Fëmija i një bujku në Kaçanik duhet të ketë mundësitë e barabarta për të zhvilluar talentin dhe për të jetësuar ëndërrat njëjtë sikurse fëmija i një avokati në Prishtinë.

Një e ardhme e cila na afron drejt integrimit e bashkimit me Shqipërinë e drejt Bashkimit Evropian dhe atij Euro-Atlantik.

Kjo e ardhme është e mundur aq sa është i fuqishëm besimi ynë.

Prandaj, le të bashkojmë besimin dhe me 14 shkurt t’u dërgojmë mesazh cinikëve dhe mohuesve se qytetarët e bashkuar bëjnë gjithçka të mundur.

E qytetarët tashmë kanë vendosur që Lëvizja VETËVENDOSJE! t’i fitojë këto zgjedhje, të formojë qeverinë dhe të fillojë ndryshimin e madh që i duhet Kosovës.

E ndryshimi do të ndodhë sepse secili nga ne do të marrim përgjegjësitë që na takojnë. Si prindër do të shtojmë kujdesin ndaj fëmijëve dhe të prindërojmë duke ua hequr video-lojërat nga duart nganjëherë dhe duke u kërkuar më shumë përkushtim në lexim: sepse mësimi nuk mbaron kur bie zilja e shkollës; si mësues duhet të shtojmë standardet e cilësisë ndaj vetvetes, të rrisim përkushtimin ndaj nxënësve dhe të kujtojmë se e ardhmja e shoqërisë tonë varet nga edukimi i fëmijëve tanë; si bujq duhet të punojmë tokat tona, të kthejmë bereqetin dhe begatinë në arat tona. Si student duhet të zgjedhim sipas talentit dhe të jemi të etur për dije. E shteti duhet të jetë jetë kudo pranë jush. Shteti do të hap rrugën përpara përmes investimeve në infrastrukturë, teknologji dhe shkencë por edhe do t’ua mbyll rrugën konkurrencës jolojale, padrejtësive të tregut e madje edhe fatkeqësive të natyrës që nuk janë dhe aq të natyrës.

Shteti është bashkësia jonë e organizuar ku i kemi përgjegjësitë individuale dhe përgjegjësitë reciproke. E derisa marrim përgjegjësitë brenda vendit dhe fillojmë ndryshimin e madh, një epokë e re do të fillojë edhe në marrëdhëniet tona me jashtë.

Mërgata jonë më në fund do të marrë rolin që meriton në shoqërinë tonë duke ua lehtësuar të drejtën e votimit dhe duke ua lehtësuar mundësitë e investimit.

Edhe marrëdhëniet tona fqinjësore do t’i avancojmë duke pasur në qendër interesat e qytetarëve tanë. Askush nuk mund të përbuzë, maltretojë dhe cënojë identitetin e dinjitetin e qytetarëve tanë sepse shteti do t’i mbrojë duke vepruar me masa të reciprocitetit e me diplomaci aktive që respekton të drejtën ndërkombëtare.

Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet, madje mbi bazën e të kaluarës së afërt e cila ende nuk është mbyllur. Gjithçka duhet të nisë me dokumentim dhe adresim të dëmeve të luftës, me evidentimin dhe gjetjen e personave të zhdukur, e me ndjekje e dënim të kriminelëve të luftës.

Marrëdhëniet dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të forcohet. Kosova e ka aleat të madh Amerikën dhe interesat tona janë të përbashkëta në mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë. Forcimi i ushtrisë së Kosovës, partneriteti i përhershëm me SHBA-në dhe anëtarësimi në NATO mbeten prioriteti parësor i qeverisë së ardhshme.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces i pandalshëm. Lidhja e fuqishme me Gjermaninë është e domosdoshme. Por qasja jonë duhet të jetë ndërtimi dhe zhvillimi i Kosovës nga brenda që përshpejton antëarësimin dhe jo anëtarësimi të ngelet si një qëllim në vetvete. Një Kosovë ku sundon ligji, me sistem të pavarur e profesional të drejtësisë, të mirëqenies për qytetarin e të zhvilluar eknomikisht e duan të gjithë dhe i ka të hapura dyert e integrimit kudo në botë.

Kjo është e ardhmja që na pret.

E tashmë kur ka mbetur vetëm edhe një muaj drejt ndryshimit të madh, secili nga ne duhet të fillojë qysh sot të punojë për ta realizur fitoren. Ndihmojeni mërgatën dhe inkurajoni të regjistrohet e të votojë. Bisedoni në shtëpitë tuaja, me të afërmit e me fqinjtë tuaj. Telefononi një mike a mik, shoqe a shok, shkruani një mesazh apo një email dhe tregoni se sa e rëndësishme është vota e saj dhe e tij për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Flisni, thërrisni, shkruani e bisedoni me secilin e me të gjithë që çdonjëri e bashkarisht të bëhemi pjesë e fitores së madhe dhe ndryshimit të thellë me 14 shkurt.

Sakrifica nga e kaluara dhe ëndrrat për të ardhmen, i bëjnë obligimin dhe dëshirën të njëjtën gjë për neve.

Ju falemnderit.

Shpërndaje në rrjete sociale