Akuzoi babin dhe vëllain për spiunazh, Murati padit Gucatin: Do ta kthej shpifjen në vepër penale

22:29 | 16 Shtator 2025
E.H

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati ka akuzuar për spiunazh vëllain dhe babin e ndjerë të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Ky i fundit ka reaguar menjëherë duke e akuzuar Gucatin për shpifje teksa ka bërë të ditur se një gjë e tillë nuk është thënë për herë të e parë nga Gucati, transmeton Arbresh.info.

Lidhur me këtë çështje, Murati tha se ka dorëzuar padi për shpifje si dhe theksoi se misioni i tij i ri do të jetë ndryshim/plotësimi i radhës i Kodit Penal ku shpifja përfshihet si vepër penale.

“Kjo shpifje monstruoze herën e parë është thënë sa e kisha babain gjallë, dhe sonte shpifja qenka përsëritur nga Hysni Gucati. Për këtë çështje unë kam dorëzuar padi për shpifje. Por këta nuk duket se ndalen, sepse Gjykatat nuk e kryejnë punën e tyre. Prandaj do të jetë mision i imi që në ndryshim/plotësimin e radhës të Kodit Penal, shpifja të përfshihet si vepër penale. Nuk mund të pretendojmë se ka drejtësi kur shpifje të tilla me pasoja kaq të mëdha trajtohen vetëm në padi civile dhe dënimi shqiptohet pas sa e sa viteve”, ka shkruar Murati në llogarinë e tij në Facebook.

Murati tutje bëri të ditur se babi i tij i ndjerë ka qenë mësimdhënës në Ferizaj.

“I gjithë Ferizaji e din se babai im, tashmë i ndjerë, fillimisht kishte punuar si mësimdhënës në shkollën ekonomike në Ferizaj, e pastaj kishte punuar në fabrikën e vajit, deri në momentin kur të gjithë punëtorët ishin larguar nga puna si pasojë e masave të dhunshme, dhe prej asaj kohe kishte vazhduar si i papunë deri në çlirimin e vendit. Kurse vëllau im ka lindur në vitin 1994, që i bie se deri në përfundimin e luftës ka pasur vetëm 5 vjet. E kuptoj betejën politike, mirëpo do duhej të kishte disa vija të kuqe se deri ku mund të shkohet. Kjo është e papranueshme”, ka shkruar tutje Murati.

Shpërndaje në rrjete sociale