Aktakuza e re ndaj Thaçit, PDK e shqetësuar: A po reflekton ky proces paanshmëri dhe profesionalizëm?

22:27 | 6 Dhjetor 2024
R J

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, thotë se njoftimi që ish-presidentit Hashim Thaçit i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.

Këto janë akuzat e reja që ZPS-ja ia ngriti Thaçit për pengim në drejtësi

“Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi”, u shpreh tutje ai.

Krasniqi ngriti pyetjen se a po reflekton ky proces drejtësie paanshmëri dhe profesionalizëm.

“Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë?”, shkroi kreu i PDK-së, në Facebook.

Ai tutje tha se drejtësia nuk duhet asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

“Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”.

Të ngjashme