Shoferi i autobusit është shpallur fajtor për aksidentin e rëndë që ndodhi në Bullgari ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut, me përkatësi etnike shqiptare.
Prokurori bullgar, Borislav Sarafov ka thënë të martën për agjencinë e lajmeve BGNES, se përgjegjës për tragjedinë e rëndë është shoferi i autobusit të agjencisë “Besa Trans”, raporton “REL”.
“Shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi. Por, edhe shpejtësia e madhe dhe e papërshtatshme, mbi normat e lejuara”, ka deklaruar kreu i shërbimit hetimor kombëtar bullgar, Borislav Sarafov.
Ai ka thënë se tani vendimi duhet të ekzekutohet nga autoritetet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut dhe të njoftohen familjarët e viktimave, pasi ata kanë të drejtë të kontrollojnë materialet.
Aksidenti ndodhi në orët e hershme të 23 nëntorit të vitit 2021, kur autobusi i agjencisë “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli, goditi një bankinë në autostradën Struma, pranë fshatit Bosnek, me ç’rast humbën jetën 45 persona, përfshirë edhe shoferin e autobusit, ndërsa shtatë të tjerë pësuan lëndime trupore.
Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica ishin familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore.
Hetimet lidhur me rastin kanë nisur edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi autoritetet kanë konstatuar se autobusi i aksidentuar nuk kishte leje për transport ndërkombëtar të udhëtarëve.
Dy doganierë janë suspenduar nga puna pasi kishin lejuar autobusin pa leje të kalonte kufirin, agjencisë së udhëtimit i është hequr leja e punës ndërsa drejtuesi i saj, tani pas raportit të hetuesisë bullgare mbi shkaqet e aksidentit, mund të përballet dhe me masa tjera.
Bullgaria, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse edhe në të kaluarën.
Aksidenti i fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kishin humbur jetën pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.
Hapet në BQK ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngj...
Arrestohet në Kosovë një person me urdhërarrest ndërkombëtar...
Mourinho optimist para përballjes me Real Madridin
Prokuroria Speciale arreston një person për dhënie ryshfeti ...
Sekuestrohet një armë zjarri në Kaçanik, shoqërohet në polic...
Szoboszlai në radarin e Realit – Liverpooli i ofron kontratë...