Të mërkurën Kosovës i vdiq edhe një dëshmitar. Misin Deliu, i cili i mbijetoi masakrës së 5 prillit 1999 në fshatin Rezallë të Drenicës ndërroi jetë mëngjesin e 22 majit duke u larguar kështu nga lista e personave që do të dëshmojnë krimet serbe të kryera në Kosovë.
E kjo dukuri po konsiderohen shqetësuese pasi plakja apo vdekja e dëshmitarëve do të pamundësojë ndjekjen e kryerësve të krimeve në Kosovë.
Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitar, ka thënë për arbersh.info se vdekja e dëshmitarëve do të vështirësojë dëshminë e krimeve serbe.
“Koha po e bën të veten dhe 20 vite pas luftës shumë dëshmitarë okular dhe të mbijetuar të ngjarjeve të ndryshme të luftës po plaken dhe kanë ndërruar jetë e ende nuk ka një dokumentacion të saktë për krimet e kryera gjithandej. Shumë dëshmitarë që do të mund të kishin ndihmuar hetimet dhe ndoshta edhe proceset gjyqësore tashmë nuk janë në gjendje me e bë këtë ose janë plak ose kanë vdekur pra nuk janë dokumentu ngjarjet, krimet që kanë ndodhë dhe tash është çdo ditë e më vështirë me e bo këtë”, ka thënë ai.
Blakaj ka shtuar se pa dëshmitarë është e pamundur edhe ndjekja e kryerësve të krimeve.
“Në përgjithësi është më vështirë nëse dëshmitarë okular kanë ndërruar jetë me e dokumentu sidomos para gjykatave, sepse në mungesë të provave dhe dokumentacionit në shumicën e rasteve aktakuzat për krime lufte bazohet kryekëput në dëshminë e dëshmitarëve dhe tash pas shumë kohe kur nuk do të ketë më as dëshmitarë do të jetë pothuajse e pamundur që të ndjekin penalisht ata që i kanë kryer këto krime”, ka shtuar ai.
E sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitar Institucionet e vendit duhet të mbledhin dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve.
“Institucionet përkatëse është deshtë që të reagojnë më herët por edhe tash nuk është vonë, me i mbledh të gjitha dëshmitë e mundshme për të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë dhe me intervistu dëshmitarët me i pas të definuar intervistat e tyre”, ka thënë ai.
Por Blakaj ka përmendur edhe një rast kur pas vdekjes, dëshmitë nuk kanë kryer punë.
“Kur të vie puna të gjykatë është e vështirë pasi deklaratat e disa dëshmitarëve tashmë të ndjerë nuk janë marrë parasysh siç është rasti i dëshmitarit X, Agim Zogaj i cili pati ndërruar jetë e dëshmitë e tij të deponuara më herët janë refuzuar nga paneli gjyqësor. Nuk është që marrja e dëshmive mund të garantohet në procese gjyqësore do të merren parasysh por sidoqoftë për dokumentimin e krimeve janë jashtëzakonisht të rëndësishme këto deklarata”, ka thënë Blakaj.
Edhe avokati, Tomë Gashi për arbresh.info ka thënë se me vdekjen e dëshmitarëve vdesin e dëshmitë e luftës.
“Në aspektin juridik krimet e luftës nuk vjetërsohen por viktimat dhe dëshmitarët vdesin dhe plaken dhe në atë moment humbet pesha e dëshmive të tyre. Çdo ditë e humbur është diçka e pakthyer dhe më vonë do të jetë vështirë e vërtetueshme për secilin krim që kanë kryer serbët në Kosovë, në mënyrë gjenerale ne nuk kemi nevojë që t’ia dëshmojnë Amerikës, Anglisë e Gjermanisë dhe shteteve të NATO-së sepse kanë ardhur në një fazë që për ta mbrojtur popullin e Kosovës e kanë bombarduar Serbinë por neglizhenca e udhëheqësve të Kosovës na ka pru në këtë pikë”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar se Kosova nuk ka as listë të dëshmitarëve të krimeve serbe.
“Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te 20 vjetori i përfundimit të luftës në Kosovë dhe ende nuk kemi informata të sakta të numrit të të mbijetuarave të masakrave dhe krimeve të luftës e nëse ata persona kanë vdekur mjerisht nuk kanë lënë as gjurmë juridike nuk kanë dhënë deklaratat para institucioneve relevante ato raste zbehen”, ka shtuar Gashi.
E sipas tij identifikimi i dëshmitarëve dhe marrja e dëshmive duhet të jetë hapi i parë i Institucioneve.
“Fillimisht duhet të identifikohen personat që kanë njohuri të sakta jo thashetheme për krimet individuale dhe të merren provat duke i intervistuar të mbijetuarit e masakrave dhe ata që kanë prova të pa diskutuara për krimet serbe e që për një afat të pacaktuar mund të përdoren në gjykatat vendore dhe ndërkombëtare krimin që Serbia ka kryer ndaj qytetarëve civilë në Kosovë”, ka përfunduar ai.
E se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen e krimeve serbe mendon edhe i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani.
Hasani në një prononcim dhënë arbresh.info ka thënë se asnjëherë askush nga institucionet nuk i ka ftuar për të dhënë dëshmi.
“Kanë kaluar 20 vite nga masakra në burgun e Dubravës ku janë 120 persona të vrarë dhe asnjëherë askush nuk na ka thirr dhe me pyet si janë vrarë, kush ka gjuajtur asnjë Institucion i Kosovës përveç një i EULEX i cili na ka thënë ‘ku t’i shihni tregona dhe shkojmë i kapim’ e për ashtu ne nuk kemi nevojë sepse i kapim vet”, ka thënë Hasani.
Ai ka shtuar se kanë dëshmi, emra dhe mbiemra të kryeseve të krimit.
“Ne kemi bërë kallëzime penale, kemi dëshmi, kemi emra dhe mbiemra dhe askush nuk na ka ftuar. Është dashtë që të del ndonjë prokurori dhe të tregojë pse nuk kanë ndërmarrë asgjë, nuk ka lejuar EULEX, UNMIK apo tash ndonjë parti politike dhe jo të heshtin sepse neve më shumë na ka lënduar heshtja”, ka shtuar ai.
E sipas tij pjesa më e madhe e dëshmitarëve kanë vdekur ose nuk janë në gjendje të dëshmojnë.
“Sa njeri, dëshmitarë i krimeve ka vdekur, është çmend nga ëndrrat ,trishtimet e tjetër është që dikush ka mund me i përballu, por shumica kanë pësuar gjatë kësaj kohe. Një pjesë kanë vdekur për shkak të moshës apo rrethanave tjera, një pjesë nuk janë në gjendje të deklarojnë ndërsa ata që mund të deklarojnë nuk i fton askush”, ka përfunduar Hasani.
Ndryshe në fillim të majit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paraqitur propozimin e tij për ndërtimin e një Tribunali, ku do të gjykohen krimet që ka kryer shteti i Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Kjo gjykatë është e mundur, është e domosdoshme, ka për të ndodhur, do të ndodh. Fundi në këtë proces ka vetëm një qëllim, drejtësi dhe të ardhme e pajtim”, pati thënë Veseli.
E të enjten e 16 majit, me 79 vota për dhe asnjë kundër deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Rezolutën që dënon gjenocidin serb të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë. E miratimi i kësaj rezolute i hap rrugën procedurave për krijimin e një Tribunali për krimet serbe në Kosovë./Arbresh.Info/
Kurti thotë se bashkëshortja e William Walkerit është shtrir...
Kryeministri i Grenlandës iu bashkohet protestave kundër tar...
Pa ujë të pijshëm tash e 30 orë rreth 700 shtëpi në Podujevë
Protesta në Tiranë përpara kryeministrisë, tensione mes prot...
Reagojnë “Plisat” pas dorëheqjes së Bekë Berishës
Mbahet akademia “Flaka e Janarit”/ Kurti: Duhet të përkujtoj...