Abazoviq: Kosova dhe Mali i Zi janë shembull se si bashkëpunohet

11:03 | 14 Prill 2023
Emir Abduramani

Kryeministrin në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova dhe Mali i Zi janë shembull rajonal se si bashkëpunohet.

Duke e falënderuar kryeministrin Kurti për “mikpritjen e jashtëzakonshme” dhe ka paralajmëruar disa projekte infrastrukturore, që ai i ka quajtur historike.

“Falënderoj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për një mikpritje të jashtëzakonshme. Jam mëse i bindur se Mali i Zi dhe Kosova janë duke dhënë shembull rajonal se si duhet të bashkëpunohet. Mendoj se jemi në rrugë të duhur për zhvillimin e disa projekteve që unë i quaj “historike”.

“Është nder i madh që jemi sot në Prishtinë. Raportet mes Kosovës dhe Malit të Zi janë për shembull. Ne vijmë me mesazhin e paqes dhe prosperitetit. Sot diskutuam për disa projekte të rëndësishme infrastrukturore.

Abazoviq foli edhe për marrëveshjen për shërbime ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, e cila u nënshkrua sot mes dy Qeverive.

Ai theksoi se kjo marrëveshje do krijojë një qasje më të mirë dhe më të lehtë për qyteëtarët e Kosovës dhe Malit të Zi.

“Fokusi jonë edhe sot në takim ka qenë në atë se cili është standardi jetësor i popullit edhe të Kosovës edhe i Malit të Zi dhe mendoj se jemi në një rrugë të duhur të zhvillojmë disa projekte të cilat unë i kisha quajtur për Mal të Zi historike dhe kanë të bëjnë me infrastrukturën. Kam qejf të theksoj se ajo çka ishte ideja jonë ishte që të krijojmë një akses më të lehtë për qytetarët e dy vendeve”, u shpreh tutje Abazoviq.

Për zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi, pra, largimit të Gjukanoviqit nga posti i presidentit dhe ardhja e një politikani proserb në atë pozitë, Abazoviq tha se përkundër këtyre ndryshimeve, raportet mes dy vendeve mbeten të pandryshuershme.

“Në Mal të Zi kanë ndodhur disa ndryshime politikë, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë në raport me Kosovën, pra ju, mund të llogaritni në mbështetjen e Malit të Zi gjithmonë, të njëjtën e presim edhe ne prej juve”, tha Abazoviq ndër të tjera në një konferencë për media.

Sot është nënshkruar marrëveshja për Shërbimet Ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Me këtë marrëveshje parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Abazoviq do qëndrojë në Kosovë nga sot deri të dielën, me c’rast do realizojë shume vizita nëpër institucione e biznese./Arbresh.info