AAK: Drejtuesit e Komunës së Pejës po akuzojnë njëri tjetrin për shkelje ligjore

14:38 | 1 Maj 2015
M. A.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Pejë, ka akuzuar drejtuesit e kësaj komune, duke thënë se edhe vet po akuzojnë njëri tjetrin për shkeljet ligjore që po bëjnë në kryerjen e punëve pa tender, shkeljet ligjore me tender, punësimet e militantëve të partisë me kontrata në vepër, favorizim të njerëzve të afërt me pushtetin në ndarjen e subvencioneve e grandeve të ndryshme nga Komuna, dhënien e objekteve në shfrytëzim dhe shkelje të tjera ligjore në procedurat e marrjes së vendimeve.

Sipas një komunikate të AAK-së në Pejë, ditëve të fundit zyrtarët e Komunës kanë dalë në media duke akuzuar njëri tjetrin për dëmtim të buxhetit, veprime të kundërligjshme, dhe ka pasur edhe pezullim nga puna për shkak të publikimit të dokumenteve që akuzojnë zyrtarët e ndryshëm Komunal, ndërsa që Prokuroria ka nisur hetimet për të vërtetuar abuzimet me detyrën zyrtare, dëmtimin e buxhetit dhe shkeljeve të tjera ligjore nga ana e zyrtarëve të komunës së Pejës.

“AAK-ja dega në Pejë vlerëson se këto prononcime medale të zyrtarëve të Komunës janë vërtetim i konstatimeve që ne si parti opozitare kemi bërë disa herë që nga ardhja në pushtet e këtyre pushtetarëve dhe këto deklarime i kemi bërë në Kuvend të Komunës dhe në qëndrime tjera publike ku kemi paraqitur shkeljet ligjore që po bëjnë pushtetarët komunal si me kryerjen e punëve pa tender, shkeljet ligjore me tender, punësimet e militantëve të partisë me kontrata në vepër, favorizim të njerëzve të afërt me pushtetin në ndarjen e subvencioneve e grandeve të ndryshme nga Komuna, dhënien e objekteve në shfrytëzim dhe shkelje të tjera ligjore në procedurat e marrjes së vendimeve etj.

Sjellja sikurse ligji nuk vlen për këta pushtetarë dhe se të gjitha Institucionet duhet të jenë në shërbim të këqyre pushtetarëve siç është vepruar deri tani, është logjikë e mbrapshtë që po i sjellë dëm Institucioneve dhe qytetarëve të Komunës së Pejës”, thuhet në komunikatë.

AAK-ja i bënë thirrje Institucioneve të Komunës dhe sidomos atyre të Drejtësisë që të hetojnë secilën akuzë të përmendur nga vet zyrtarët e Komunës në media, të krijojnë hapësirë dhe kushte për të kryer hetimet dhe më pastaj nëse shkelësit të dënohen në mënyrë që Institucionet e Komunës të çlirohen nga këta individë që kanë abuzuar me detyrat zyrtare dhe Institucionet të kryen detyrat për çfarë janë krijuar pra të shërbimit ndaj qytetarëve./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale