Punët ‘urgjente’ të Kurtit pas kthimit nga ShBA’të

08:22 | 25 Maj 2022
A Z

Vizita stërzgjatur e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar reagime të shumta, dhe për disa rezultoi e suksesshme e nga disa u kritikua shumë.

Analisti politik Gazmir Raci, thotë se Kurti është pritur në takim nga një person mjaftë i rëndësishëm i Shtëpisë së Bardhë.

“Kurti është pritur nga Këshilltari kryesor i Sigurisë, Jake Sullivan, që është shumë i  rëndësishëm  dhe se takime me liderët më të mëdhënj nuk mund të realizohen pa pasur qëllime dhe arsye të forta”, deklaron Raci.

Sipas Racit, Kurti me t’u kthyer në Kosovë duhet që analizat t’i kthejë në veprim sa i përket negociatave me Serbinë.

“Qasja deri tani ka qenë më shumë analitike, është  analizuar dialogu, tani  është faza ku duhet të kalojmë në veprim në kuptimin me  aktivizimin edhe me propozime konkrete” tha ai për arbresh.info, duke shtuar se duhet dakordim edhe më i madh me opozitën për shkak se është çështje nacionale.

Politikologu Nexhmedin Spahiu vlerëson se negociatat me Serbinë janë interes kombëtar dhe do të duhej të mbeteshin prioritet deri në njohjen e pavarësisë nga Serbia.

“Qeveria e Kosovës nuk është askund. Nuk është një qeveri e cila i korrespondon interesave amerikane në rajon, jo pse nuk dëshiron, por nuk di. Amerika nuk ka qasje negative karshi Kosovës ose karshi qeveris së Kosovës por fakti që nuk ka patur ndonjë takim të rëndësishëm në nivelin e Kryeministrit tregon që Amerika nuk është e kënaqur më performancën e qeverisë së Kosovës” vlerëson Spahiu.

Kujtojmë se Kurti në Amerikë ka qëndruar rreth dy javë, ku është takuar kryesisht me kompani të teknologjisë së informacionit dhe me mërgatën shqiptare./arbresh.info/Ejona Hyseni/