Flet familjari i pacientit që vdiq në QKMF-në e Lipjanit

20:54 | 5 Shkurt 2022
A Z

Një person ka vdekur sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan.

Ndonëse është aluduar se ky person kishte pritur më shumë se një 1 orë trajtim pasi EGK nuk ka qenë në funksion, drejtori i QKMF-së në Lipjan, Agim Krasniqi ka thënë se vdekja e të ndjerit ka qenë natyrale.

“Është një rast tjetër, i cili është trajtuar nga mjeku, i cili ankesat kryesore të tij kanë qenë gastrike, siç i themi ne me dhimbje të lukthit. Mirëpo doktori ka dyshu që ka të bëj ndoshta me ndonjë infrakt apo diçka të mshefur që shpesh din me shku me këto ndryshime që duken se janë gastrike por janë kardiologjike. E ka bërë EKG dhe me ekip ka udhëzu për me shku në Qendrën Emergjente në Prishtinë. Nërkohë, pacientit i është keqësuar gjendja, i është bërë animimi dhe është transportuar për Qendrën Emegjente në Prishtinë”, ka thënë Krasniqi për RTK-në.

Krasniqi ka shtuar se paisjet janë funksionale dhe se të gjitha ekipet dhe mjeku kujdestar kanë qenë në krye të detyrës.

“Paisjet janë funksionale, ajo çka është në nivelin e kujdesit primar shëndetësor pacientit i është ofruar e gjitha, me atë qysh ma interpretuan stafi që kanë qenë në kujdestari”, ka shtuar Krasniqi.

Në anën tjetër, Skënder Gashi, kushëriri i të ndjerit ka thënë se mjekët në QMKF-në në Lipjan kanë kryer punën e tyre dhe nuk ka vërejtje.

“Vdekja për ne është vdekje natyrale, nuk kemi vërejtje as në personelin e Shëndetësisë të komunës së Lipjanit, as në QKUK”, tha Gashi.

Por, Gashi ka shtuar se është e vërtetë që EGK nuk ka qenë në funksion.

“EKG është e vërtetë… menjëherë e kanë përcjellë për spital”, tha ai.

E, për këtë, drejtori i Shëndetësisë në Lipjan, Shkëlzen Hajdini ka suspenduar nga puna mjekun Faruk Gashi i cili punonte në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

Siç njofton Komuna e Lipjanit, ky vendim është marrë për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë të mjekut në fjalë, i cili kishte deklaruar rrejshëm se EKG është jashtë funksionit.

“Drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shkelzen Hajdini ka suspenduar nga puna mjekun Faruk Gashi, mjekë i përgjithshëm. Pas konstatimit nga Drejtori QKMF-së dhe Shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku Faruk Gashi, mjekë i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit. Ky rast do të vazhdojë në procedura të rregullta ligjore.
Askush nuk do të tolerohet që për arsyeje të neglizhencës, papërgjegjësisë ose arsyeje tjera të sillet papërgjegjshëm ndaj pacientëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Lipjanit.

LEXO EDHE:

Suspendohet mjeku që deklaroi rrejshëm se EKG në QKMF-në e Lipjanit është jashtë funksionit