Kosova mund të penalizohet në procesin e saj integrues në Bashkimin Evropian, pas deportimit të 6 shtetasve turq. Kështu thonë analistët, ndërsa theksojnë se kjo ngjarje, nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e liberalizimit të vizave, por do të jetë pjesë e vlerësimeve që i bën BE-ja Kosovës.
Njohësi i çështjeve politike në vend Imer Mushkolaj, tha për Radio Kosovën se ngjarjet e fundit me deportimin e gjashtë shtetasve turq, do të ketë ndikim afatgjatë sa i përket sundimit të ligjit, për shkak se flitet për një situatë ku në mënyrë drastike, është shkelur Konventa e të Drejtave të Njeriut.
“Nëse ne si vend pretendojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, duhet të kemi parasysh që duhet të respektohet Konventa për të Drejtat e Njeriut”, tha Mushkolaj. Kjo ka të bëjë direkt edhe me mundësinë ose pamundësinë e anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës. Kështu që unë besoj se do të ketë pasoja afatgjate, për shkak se është postulati themelor që ka të bëjë me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Mushkolaj.
Ndërkaq, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Mushkolaj tha se mund të përmendet që Kosova nuk ka arritur të menaxhojë si duhet një situatë të ndjeshme siç ishte deportimi i qytetarëve turq.
“Ne e dimë se kushti i fundit që ka mbetur për liberalizimin e vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, që nënkupton sundimin e ligjit. Kështu që, domosdoshmërish kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit. Por, nuk e di vërtetë nëse në mënyre eksplicite do të përmendet ose do të evidentohet si rast që mund të dëmtojë këtë proces”, tha Mushkolaj.
Ligjëruesja për integrimet evropiane në Universitetin e Prishtinës, Jehona Lushaku, tha për Radio Kosovën se ngjarja me deportimin e shtetasve turq, nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e liberalizimit të vizave, por do të jetë pjesë e vlerësimeve që i bën Bashkimi Evropian.
“BE matë procesin dhe matë funksionimin e shtetit ligjor, pra sundimin e ligjit. Kjo ka qenë pjesë e sundimit të ligjit, mënyra se si e kanë zbatuar ekstradimin e disa shtetasve turq me leje qëndrimi në Kosovë. Kjo do të jetë pjesë e vlerësimeve që i bën BE. Por për procesin e liberalizimit të vizave nuk e besoj se do të jetë diçka që ndikon në vendim”, thotë Lushaku.
Kjo është shumë e rëndësishme për proceset integruese, tha Lushaku, duke theksuar se Kosova mund të penalizohet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Funksionimi institucional është kriteri i parë i BE-së. Vlerësimet bëhen se institucionet e Kosovës a janë demokratike për mënyrën se si i marrin vendimet ato. Prandaj është kriteri i parë i BE-së, funksionimi institucional dhe demokratik i shtetit të Kosovës. Mundemi të penalizohemi sa i përket procesit të integrimit”, tha ajo.
Lushaku tha se çështje tjetër është edhe qasja ideologjike, nëse ne jemi vërtetë duke e përkrahur Erdoganin. Shumë shtete perëndimore janë distancuar nga kërkesa e Erdoganit për të dorëzuar gylenistët dhe për këtë do të duhej që Kosova të jap sqarim si shtet se çfarë qëndrimi ka kundrejt këtij grupi, tha Lushaku./radio kosova/
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...