Në orët e vona të 9 shkurtit, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli të festonte në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Ndër tjerash, kreu i LVV-së, Albin Kurti, listoi se çfarë do të bënte në katër vjetët e ardhshëm.
Pak orë më vonë, edhe partitë të tjera dolën me qëndrimet e tyre. I pari ishte kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili kërkoi që opozita e deriatëhershme të bëhej bashkë për ta formuar qeverinë e re.
Por, edhe tre muaj pas, Kosova jo vetëm që nuk e ka Qeverinë e re, por s’ka as Kuvend të konstituuar.
Që nga vonesat në numërim të rezultateve e deri te mospajtimi për postin e kryeparlamentarit, ja çfarë ka ndodhur këta tre muaj.
9 shkurt
Mbahen zgjedhjet parlamentare.
9 shkurt
Lëvizja Vetëvendosje del e para.
15 mars
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
17 mars
Lëvizja Vetëvendosje kërkon rivotimin me postë, Partia Demokratike e Kosovës kërkon të rishqyrtohet një gjobë e dhënë gjatë fushatës, dhe koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim kërkon anulimin e votave të Partisë së Ashkalinjve për Integrim.
19 mars
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa refuzon ankesat e subjekteve politike.
21 mars
Subjektet politike i drejtohen Gjykatës Supreme me të njëjtat ankesa.
24 mars
Gjykata Supreme refuzon kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës.
26 mars
Gjykata Supreme refuzon edhe kërkesat e tjera për rezultatin e zgjedhjeve.
26 mars
Prokuroria nis hetimet për votimin me postë.
27 mars
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon rezultatet e zgjedhjeve.
27 mars
Lëvizja Vetëvendosje i drejtohet Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës Supreme për votat me postë.
1 prill
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, cakton 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
15 prill
Mbahet seanca e parë konstituive. Formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, por raporti nuk kalon pasi që deputetë të partive që kishin qenë në opozitë s’e votuan. Ata s’pajtoheshin me mënyrën e dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar që ishin zgjedhur deputetë.
17 prill
Mbahet seanca e dytë konstituive. Sërish s’votohet raporti për verifikimin e mandatit të deputetëve.
19 prill
Mbahet seanca e tretë konstituive. Këtë herë votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve, dhe këta të fundit e bëjnë betimin. Albulena Haxhiu s’i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare.
21 prill
Mbahet seanca e katërt konstituive. Lëvizja Vetëvendosje propozon sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo s’i merr 61 votat e nevojshme.
23 prill
Mbahet seanca e pestë konstituive. Albulena Haxhiu sërish dështon të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.
25 prill
Mbahet seanca e gjashtë konstituive. Albulena Haxhiu, përkundër kërkesave të partive të tjera, sërish propozohet për kryeparlamentare, dhe sërish dështon të marrë votat e nevojshme.
27 prill
Mbahet seanca e shtatë konstituive. Sërish, Albulena Haxhiu propozohet për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe sërish dështon të marrë votat e nevojshme.
29 prill
Mbahet seanca e tetë konstituive. Vetëvendosje sërish propozon Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo sërish nuk siguron 61 votat e nevojshme.
1 maj
Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë. Këtë herë, Lëvizja Vetëvendosje propozon që votimi për kryeparlamentar të jetë i fshehtë. Ky propozim nuk pranohet nga partitë e tjera.
3 maj
Vetëvendosje përsërit kërkesën për votim të fshehtë të kryeparlamentarit. Partitë e tjera e refuzojnë dhe Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë.
5 maj
Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 11-të. Sërish dështimi vjen pasi Vetëvendosja kërkon votim të fshehtë dhe partitë e tjera e refuzojnë atë.
7 maj
Edhe tentimi i 12-të përfundon njëjtë. Vetëvendosja propozon votim të fshehtë, partitë e tjera e refuzojnë, konstituimi i Kuvendit sërish dështon.
9 maj
E premte, seanca e 13-të konstituive e Kuvendit të Kosovës./REL
Komuna e Fushë Kosovës anulon vendimin për shpronësim të pro...
FSK dhe ushtria britanike në trajnim të avancuar në Belize
Dy të vdekur nga një sulm palestinez në Izrael
IKSHPK bën thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal
E rëndë: Rryma ia merr jetën një të riu në Malësi të Madhe
Gjermania po përgatit rregulla të rrepta për mediat sociale,...