200 milionë euro potëncialisht mund të tërhiqen nga Trusti

08:22 | 26 Korrik 2020
A Z

Trusti aktualisht ka dy miliardë euro, dhe në rast të miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike, rreth 200 milionë euro, apo 10 përqind e këtyre parave potencialisht mund të tërhiqen nga qytetarët nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia COVID-19, dhe sipas Ministres së Financave, Hykmete Bajrami, ky ligj hynë në fuqi, katër muaj pas miratimit.

Në një përgjigje për arbresh.info zëdhënësi për media i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Jeton Demi ka thënë se aktualisht trusti nën menaxhim ka mbi dy miliardë euro ndërsa për 10% presin miratimin e ligjit në Kuvendin e Kosovës.

“Aktualisht Trusti ka nën menaxhim mbi 2 miliardë euro, ndërsa sa i përket 10%-shit presim miratimin e ligjit në Kuvend. Duke qenë se tërheqja do të jetë vullnetare, nuk e dimë se sa kontribuues do të kërkojnë tërheqjen e, rrjedhimisht, as sa do të jetë vlera përkatëse”, ka thënë Demi.

Derisa profesori universitar i ekonomisë, Sejdi Rexhepi këtë nismë të ministres Bajrami e sheh si të gabuar.

“Kjo ide gjithashtu po përkrahet edhe nga shoqatat afariste por edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës. Një kërkesë e tillë po arsyetohet me argumentin “Kejnsian” të nxitjes së kërkesës agregate, ose thënë më thjesht me qëllim të rritjes së konsumit qytetar i cili në mënyrë indirekte do të rriste kërkesën për prodhim e bashkë me të edhe punësimin”, ka deklaruar Rexhepi.

Sipas Profesorit të ekonomisë kjo as nuk do e zbusë varfërinë e as nuk ndikon në nxitjen e aktivitetit ekonomik, por as nuk do të ndikoj konsiderueshëm në rritjen e kërkesë dhe nxitjen e aktivitetit ekonomik.

“Ndryshimi i dispozitave ligjore është i lehtë kur ekziston vullneti i shumicës parlamentare, por deputetet e kanë për detyrë që të mendojnë për zhvillim dhe mirëqenie të qëndrueshme e jo për improvizime afatshkurtra me pasoja negative afatgjata”, ka vlerësuar Rexhepi.

Për më tepër, thotë se qeveria përmes hyrjes borxh, duhet të gjejë zgjidhje shumë më kreative, duke i përdor të njëjtat në programe të ndryshme të shpenzimeve për kujdesinë social.

“Por, edhe të nxitjes dhe përkrahjes së bizneseve, efektet e të cilave do të ishin shumë më të shpejta edhe për zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar ai./Rina Rexhepi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale