​Në Gjakovë u jepet mbështetje grave, lansohet Dita e Grave Sipërmarrëse

18:02 | 19 Nëntor 2015
M. A.

Nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me mbështetjen e Komunës së Gjakovës dhe kryetares, Mimoza Kusari-Lila, Shoqatës Afariste të Gruas “SHE RA” dhe të ËED/Ëomen’s, sot në Gjakovë është organizuar evenimenti mbi lansimin për Ditën e Grave Sipërmarrëse (WED).

Para të pranishmëve nga ana e organizatores Mirlinda Kusari – Purrini, drejtoreshë e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE ERA”, janë prezantuar projekte nga puna dhe angazhimi për mbështetjen e grave sipërmarrëse.

Kusari-Purrini ka thënë se përkundër që Kosova nuk është pjesë e BE-së, gratë e Kosovës e kanë nderin të jenë lidere regjionale për të nominuar ambasadore në të gjithë Evropën.

“Sot mbi 144 ambasadore gra në Evropë, në Amerikën Qendrore dhe Jugore, në ishujt Karaibe, në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, Azi dhe Oqeani e festojnë këtë ditë për qëllim të fuqizimit të rreth 4 miliardë grave në planet, për të ngritur shpresat dhe për të ndihmuar 250 milionë gra që jetojnë në varfëri. Ne si Kosovë edhe pse nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian kemi pasur nderin që të jemi liderë regjional për të nominuar ambasadore në të gjithë Evropën”, ka thënë Kusari-Purrini.

Ndërsa, në fjalën e saj, presidentja Jahjaga, ka thënë se kjo nismë ndërkombëtare dedikuar rëndësisë së grave sipërmarrëse vë në pah nevojën për ngritjen e vetëdijes institucionale dhe shoqërore në të gjitha vendet e botës. Sipas Jahjagës, gratë në Kosovë janë të suksesshme, dhe këtë sukses e ka ndihmuar ajo dhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila përmes grupit G7 të Dhomës Ekonomike të Grave.

“Kjo nismë ndërkombëtare që i dedikohet rëndësisë së grave sipërmarrëse në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik, për vitin e dytë me radhë vë në pah nevojën p ër ngritjen e vetëdijes institucionale dhe shoqërore në të gjitha vendet e botës për situatën jo të barabartë në të cilën gratë gjenden në sektorin e ekonomisë, dhe nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për ta ndryshuar atë. Në Kosovë kemi gra sipërmarrëse shumë të suksesshme të cilat kanë prekur majat në sektorët ku veprojnë. Një pjesë e këtyre grave, me mbështetjen që unë i kam ofruar së bashku me kryetaren Kusari-Lila, në atë kohë Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, kanë krijuar edhe organizatë për të hapur rrugën edhe për të tjera, dhe ajo është grupi i ashtuquajtur G7 të Dhomës Ekonomike të Grave”, ka thënë Jahjaga.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nëse nuk aktivizohet në plotni potenciali i ndërmarrësisë së Kosovës, atëherë ekonomia e Kosovës do të vuajë. Ajo ka shtuar se Komuna e Gjakovës në vazhdimësi ka synuar që të inkuadrojë gruan në vendimmarrjen ekonomike, duke filluar aplikimin e Fondit të Granteve për Ndërmarrësi.

“50 përqind e potencialit të ndërmarrësisë së Kosovës, të potencialit ekonomik, nëse nuk aktivizohet në plotni, atëherë ekonomia e Kosovës dhe ekonomia globale në përgjithësi do të vuajë. Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe potencialin, por gjithashtu edhe karakteristikat që i ka ekonomia lokale e Gjakovës, komuna e Gjakovës në vazhdimësi ka synuar që të inkuadrojë gruan në vendimmarrjen ekonomike. Si rrjedhojë e kësaj ne si Kuvend Komunal kemi filluar, dhe më vjen mirë që jemi një ndër komunat e para në Kosovë shpresojmë që do të ketë edhe tjera që e përcjellin me fondin e granteve për ndërmarrësi”, ka thënë Kusari- Lila.

Në këtë eveniment të pranishmëve u janë drejtuar edhe Andrew Russell, shefi i UNDP-së në Kosovë, si dhe Michelle Schohn, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Ambasadën Amerikane. Po ashtu të pranishëm kanë qenë edhe gra nga vendet mike të Kosovës, përfaqësuese të BE-së, si dhe gra nga ambasadat në vend

Shpërndaje në rrjete sociale