SBASHK mirëpret vendimin për shtesat, pret të finalizohet marrëveshja

14:15 | 20 Janar 2021 | Elona Haxhiu

Qeveria duket se i ka dhënë dritën e gjelbër mësimdhënësve për shtesat.

Kështu është shprehur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Ai në një prononcim për portalin arbresh.info ka thënë se pas takimeve me kryeministrin dhe ministrin shihet një vullnet dhe se presin që deri në fund të javës kjo marrëveshje të finalizohet.

“Këtë javë kemi takime dhe komunikim të vazhdueshëm, duke filluar nga Kryeministri dhe Ministria e Arsimit, dhe hetohet një vullnet, unë e përgëzoj kryeministrin Hoti për vullnetin e treguar në komunikim me ne, ai është duke u angazhuar bashkë me Qeverinë për të gjetur mundësinë, për realizimin brenda mundësive buxhetore të kërkesës tonë që karshi pagës të kemi edhe një shtesë te sistemi arsimor, për shkak të shtimit dhe volumit të punës dhe për shkak rrezikshmërisë nga Covid-19”, tha Jasharaj.

Ai thotë se po punohet vazhdimisht për dy kërkesat të cilat i kanë ata si sindikatë.

“Po ashtu në takime dhe komunikime me kryeministrin Hoti dhe ministrinë jemi duke punuar në mënyrë të vazhdueshme që të arrijmë marrëveshje të plotë për kontratën kolektive dhe duke e parë gjithë këtë angazhim të palëve, më mbetet të shpresoj edhe SBASHK-u në përgjithësi të shpresoj që deri në fund të kësaj jave do të kemi rezultate pozitive për t’i bind këto kërkesa”, tha Jasharaj.

Ndryshe, sot kryeministri në largim Avdullah Hoti ka takuar përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilëve ua ka dhënë lajmin se Qeveria në detyrë do të ndajë paga shtesë për punëtorët e arsimit.

Ndryshe, SBASHK-u kishte paralajmëruar greva nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e mësimdhënësve.

Sindikata ka kërkuar nga 100 euro shtesë për secilin punëtor të arsimit, për shkak të rrezikshmërisë së prekjes nga koronavirusi./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara