Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) të dyshuarve A.K dhe I.H., të dyshuar për kanosje me vrasje ndaj pjesëtarëve të KFOR-it italian në Lubiqevë të Prizrenit.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e PSRK-së dhe të dyshuarve iu caktua masa e paraburgimit në harmoni me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1,1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së.
“Të pandehurit A.K dhe I.H dyshohen se në bashkëkryerje me datë 26.02.2024 rreth orës 10:00 në një kafiteri në fshatin Lubiqevë, në Komunën e Prizrenit, kishin ofenduar dhe pastaj kishin kanosur seriozisht pjesëtarët e KFOR-it Italian se do ti vrasin, e të cilët janë në mision paqeruajtës në Kosovë me mandat të OKB-së dhe duke marr për bazë faktin se vepra penale për të cilën dyshohen ka ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët veprojnë në Kosovë për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës, andaj ekziston rreziku real se me qëndrimin e tyre në liri, të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo të përfundojnë veprën e kanosur”, thuhet në njoftim.
Më tej, thuhet se sipas vlerësimit të gjykatës, caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale është mëse i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatim me sukses dhe efektiv të kësaj procedure penale dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
A.K dhe I.H dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i personelit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i personelit në marrëdhënie me to” në bashkëkryerje, nga neni 168, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Policia e Kosovës njoftoi të hënën se dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Sali Berisha uron Kurtin për rizgjedhjen në krye të qeverisë
Reduktime të ujit në Fushë Kosovë, Obiliq dhe një pjesë e kr...
Irani i gatshëm t`i shqyrtojë kompromiset për marrëveshje me...
Spiropali në katedrën e Albanologjisë në Mynih: Pikë referim...
E pafat, Kiana Kryeziu del nga shtegu
Reshjet e pandërprera shkaktojnë rritje të lumenjve në Kosov...