9 pikat që Kosova duhet t’ia përmend Serbisë në bisedime sipas Taulant Kryeziu

10:02 | 22 Korrik 2021

9 pikëshi i #Kosovës sipas ish deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Taulant Kryeziut

Më poshtë kam bërë një propozim listë të kërkesave që #Kosova duhet t’ia shtroj patjetër #Serbisë në bisedime:

1. Njohja e plotë juridike e Kosovës (për barazinë sovrane të shteteve që ekzistojnë, ku i referohet tekstualisht Republikës së Kosovës si një̈ shtet i barabartë në mes shtetesh sovrane dhe t’ia njeh ‘pavarësinë̈ dhe integritetin territorial’ të saj).
2. Zbulimi i fatit të personave të zhdukur (duke ditur faktin që krimet e luftës nuk mund të amnistohen sipas ligjit ndërkombëtar).
3. Kompensimi nga ana e Serbisë i dëmeve të shkaktuara nga lufta, sipas një vlerësimi që do të bëhej nga një komision i pavarur ndërkombëtarë.
4. Shfuqizimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së. Ky shfuqizim duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së detyrueshme ligjërisht obligative me Serbinë dhe duhet të ndodhë në mënyrë simultane me propozimin për anëtarësim të Kosovës në OKB nga KS i OKB-së.
5. Një SOFA (Status of Forces Agreement) e re në mes të Kosovës dhe NATO-s, me të cilën Kosova në bazë të sovranitetit të plotë do të lidhte një marrëveshje të re me NATO-n, për stacionimin e trupave të saj në territorin e Kosovës në cilësi të bazave ushtarake. Kjo SOFA e re nuk përjashton themelimin e bazave ushtarake në territor të Kosovës me shtetet individuale.
6. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të ketë statusin e marrëveshjes ndërkombëtare me garancione të BE-së dhe SHBA-ve, si dhe te regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së, ashtu që çdo kontest rreth interpretimit të saj të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
7.Barazim i Kosovës me Serbinë në procesin e integrimit evropian, në të gjitha aspektet dhe fazat.
8. Reciprocitet ndaj statusit të komuniteteve jo-shumicë (trajtimi i minoriteteve është një detyrim ndërkombëtar i secilit shtet)
9.Zgjidhja e problemit të trashëgimit në të drejtat dhe detyrimet e shtetit pararendës, përkatësisht Serbisë në fushat si vijon:
Një-marrëveshjet ndërkombëtare;
Dy- prona e luajtshme dhe e paluajtshme;
Tre- asetet dhe borxhi i jashtëm;
Katër- arkivat dhe dokumentacioni tjetër zyrtar (kadastrat, artefaktet etj.);
Pesë- pensionet dhe të drejtat e fituara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara