15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues trajnohen në Danimarkë

16:58 | 16 Dhjetor 2025
E.G

15 zyrtarë që punojnë në qendrat e Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë përfunduar me sukses një trajnim në Danimarkë.

Ceremonia e certifikimit u mbajt në Kopenhagë, aty ku mori pjesë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ridvan Hoti, dhe kryeinspektori Muamer Bikliqi.

Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, drejtoresha e Shërbimit danez të Burgjeve, Ina Eliasen, si dhe përfaqësues institucionalë nga të dy vendet.

Gjatë fjalës së tij, Hoti theksoi se kjo ceremoni shënon suksesin e një grupi profesionistësh korrektues nga Kosova, të cilët me përkushtim dhe seriozitet kanë përfunduar një trajnim të avancuar në Danimarkë. Ai e vlerësoi këtë përvojë si një mundësi të rëndësishme profesionale dhe njerëzore, e ndërtuar mbi vlerat e respektit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit.

Ai gjithashtu vlerësoi marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për akomodimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, duke e cilësuar atë si një partneritet unik dhe të besueshëm që dëshmon besimin e Danimarkës në kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në menaxhimin e sistemeve moderne të korrektimit.

Hoti shprehu mirënjohje për autoritetet daneze, trajnerët dhe mentorët për profesionalizmin, mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo ceremoni nuk është fundi i një rruge, por fillimi i një kapitulli të ri që kërkon standarde të larta profesionale, etikë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet dy shteteve.

Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Hummelgaard, uroi zyrtarët korrektues kosovarë për përfundimin e suksesshëm të trajnimit dhe theksoi rëndësinë e këtij hapi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve. Ai falënderoi gjithashtu stafin danez për mikpritjen dhe angazhimin e tyre, duke nënvizuar se ky projekt mbetet prioritet i lartë dhe se pritet që edhe grupe të tjera zyrtarësh nga Kosova të përfundojnë trajnimin.

Trajnimi mbi sistemin korrektues danez zgjati gjashtë muaj, ku zyrtarët korrektues treguan përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë në çdo fazë. Falë angazhimit të tyre, ata arritën të zotërojnë njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale