Kurti për zgjedhjet e brendshme të LVV-së: Vit të rëndësishëm si 2022 do të ketë vetëm më 2026

14:33 | 17 Korrik 2022
A Z

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për medie, ku foli kryetari i kësaj partie, njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurti i cili njoftoi se do të ketë zgjedhje të brendshme në organizatën e tyre.

Ai ka thënë se qendrat e LVV-së, deri më tani kanë organizuar zgjedhje në 300 pika.

Ai tha se Lëvizjes Vetëvendosje tani po i bashkëngjiten edhe dy struktura të reja organizative, ajo e gruas dhe e rinisë.

“Ne po i zgjedhim strukturat drejtuese dhe të deleguara të organizatës sonë, për secilin vendbanim, lagje të komunës apo fshat anë e mbanë Kosovës, sipas parimit një anëtarë një votë dhe përmes një procesi gjithëpërfshirës e shumë transparent. Deri më tani qendrat tona kanë organizuar zgjedhje në 300 pika, kurse deri nesër në mbrëmje ky numër do të shkoj deri në 316. Këtu mund të veçojmë qendrat në Podujevë, Shtime, Prizren e Kastriot. Strukturat tona, të organizuar gjithandej Kosovës e që përfaqësojnë lagjet apo fshatrat e komunave tona po i bashkëngjisim edhe dy struktura të reja organizative, ajo e gruas për VV dhe e rinisë për VV. 14 mijë e 641 gra dhe vajza anëtare në lëvizjen tonë, do ta kenë organizatën e tyre e po ashtu edhe 17 e 331 të rijnë e të reja do ta kenë organizimin e tyre brenda LVV”.

Kurti tha se do ta paraqesin edhe rregulloren e re për mërgatën.

“Natyrisht se qendrat e LVV në mërgatë nuk mund ta kenë mënyrën dhe formën e re të organizimit sikur brenda vendit tonë”.

Tutje ai tha se janë zgjedhjet më të rëndësishme, dhe të njëjta nuk do të ketë deri në vitin 2026.

“Për 4 vitet e ardhshme nuk do të ketë proces më të rëndësishëm sesa ky. Zgjedhje nuk do të ketë deri në vitin 2026, andaj është e domosdoshme që organizata jonë të përgatitet për këto zgjedhje me pjesëmarrje të të gjithëve. Nuk do të ketë as zgjedhje lokale as nacionale, pas këtyre zgjedhjeve të brendshme të LVV-së që janë të fundit para zgjedhjeve të ardhshme”, ka thënë Kurti.

Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi u shpreh se që nga 15 marsi kur janë shpallur zgjedhjet e brendshme, LVV-së i janë shtuar 2,446 anëtarë të rinj, ku numri i përgjithshëm i anëtarëve ka shkuar në 59,291.

E Koordinatori për Qendra, Valon Hoti tha se më 15 gusht do të shpallen zgjedhjet për kryetar të LVV-së, kryetar të organizatës së gruas dhe rinisë për LVV.

Ai shtoi se më 1 shtator zyrtarisht hapet fushata për kandidatët për kryetar të LVV-së./arbresh.info/