Enver Hasani flet për mandatit kushtetues të Thaçit për të përfaqësuar Kosovën në dialog

17:37 | 22 Korrik 2018
V. S.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe njëherit profesor i së Drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se në rast se realizohet kërkesa e palës serbe që Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe (ASK) të themelohet me Ligj të veçantë, atëherë duhet bërë ndryshime kushtetuese që do ta bënin ASK-në kategori kushtetuese.

Dhe në këtë formë serbëve të Kosovës, që kontrollohen dhe ndikohen nga Beogradi, do t’u jepet fuqia e plotë mbi ASK-në për të marrë vendime brenda Kosovës pa e pyetur Qeverinë qendrore të Kosovës.

Në një intervistë për kosovapress,  Hasani që dikur akuzohejë si dora e Hashim Thaçit në Gjykatën Kkushtetuese, flet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dëmin që po i kanoset Kosovës dhe mungesën e legjitimitetit dhe mandatit kushtetues të Thaçit për të përfaqësuar Kosovën në dialogun që po lehtësohet dhe mbahet në Bruksel.

Hasani kishte deklaruar ditë më parë në mediat vendore se mund të ndodhnin ndryshime kushtetuese  nëse kërkohet që ASK të themelohet me Ligj Special. Ndryshime këto që sipas tij do ta shndërronin ASK-në në materie kushtetuese.

“Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme në këtë rast për shkak se flitet për një ligj që te ne nuk ekziston në baza kushtetuese aktualisht, do të thotë pjesa e Kushtetutës, kapitulli 3 që I jep të drejta të veçanta ose shtesë komuniteteve të Kosovës, nuk parasheh dhe nuk mund të shërbejë si bazë kushtetuese për nxjerrjen e një ligji special. Ai ligj special, së paku gjykuar sipas asaj që është parë në medie, ka dy cilësi: e para është se është ligj organik, sepse supozohet që normon organizimin dhe funksionimin e Asociacionit të Komunave Serbe,  dhe e dyta  sepse materia rregullohet në mënyrë speciale që do të thotë nxjerrët nga kapitulli 3 i  kushtetutës dhe për pasojë paraqet efektivisht materie kushtetuese. Këto janë arsyet, po flas gjithmonë në aspektin profesional”, ka thënë Hasani.

Lista Serbe në vazhdimësi kishte kërkuar që Asociacioni të funksionalizohet me ndryshime kushtetuese. Arritja e këtij synimi, sipas Hasanit do të nënkuptonte që Asociacioni të ketë “status kushtetues stabil”, i cili nuk mund të abrogohet më vonë me një shumicë të thjeshtë, përkatësisht nuk i nënshtrohet fërkimeve politike që mund të ndodhin në Kosovë. Kjo do të nënkuptonte që sikur çdo çështje që kërkon pëlqimin e komuniteteve, edhe Asociacioni do ta kishte statusin e njëjtë për shkak se do të futej në kategorinë e ligjeve që mund të ndryshohen dhe plotësohen, përkatësisht amandamentohen me një shumicë të kualifikuar.

 

I pyetur  nëse në këtë formë Lista Serbe, që kontrollohet nga Beogradi zyrtar, po tenton ta kontrollojë më tepër dhe që më tej të shtyjë përpara vendimet që po dëshiron në lidhje me Asociacionin, Hasani ka thënë se kjo as nuk diskutohet.

“Nuk janë problem ato, siç këtu gabimisht është trumbetuar dhe trumbetohet akoma në mënyrë jashtëzakonisht naive. Problemi me Asociacionin është statusi kushtetues i atyre nga të cilët përbëhet asociacioni. Serbët me këtë qasje që e kanë shpërfaqur kohëve të fundit, kërkojnë status të popullit kushtetues, status konstituiv dhe këtu është problemi, nuk është problemi te kompetencat ekzekutive  të Asociacionit. Ajo do të ishte pasojë… Shikoni tash, Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë që Asociacioni nuk duhet të formohet. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar vlefshmërinë në mënyrë, në paragrafin e parë, ka thanë në mënyrë të shprehur që ai (Asociacioni) duhet të formohet. Mënyra e formimit të tij është vlerësuar siç është paraqitur në marrëveshjen e dytë që është vlerësuar si jo-kushtetuese dhe ato pjesë, të cilat janë vlerësu si të tilla, nënkupton që Asociacioni mund të formohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese, nëse votohen nga ana e sovranit sipas procedurës aktuale që kërkon shumicën e dyfishtë, do të thotë jo vetëm të komunitetit shumicë, atëherë aty çdo gjë është në rregull dhe Asociacioni mund të operojë. Ne po flasim këtu për procese kushtetuese, nuk po flasim për procese politike të cilat mund të kenë një logjikë tjetër”, ka thënë ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese./kosovapress/

 

Të ngjashme