Akuzat për zhvatje kundër kryetarit të FFK-së, Agim Ademit

22:18 | 6 Korrik 2018
V. S.

 

Kryetari i ri i Federatës Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është i akuzuar edhe në gjykim, kjo pasi i dëmtuari Dritëro Kadolli, e ka vazhduar dëshminë e tij, që e kishte lënë në gjysmë në dy seancat e kaluara, njëra më 6 shkurt dhe tjetra më 26 mars të këtij viti.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, për qëllim të përfitimit material, e kishin detyruar dhe kërcënuar të dëmtuarin Kadolli, lidhur me pagesën e një veture të tipit “BMW X5”, në vlerë prej 30 mijë euro, e cila më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitit.

Sipas të dëmtuarit Kadolli, kjo kërkesë nga dy të akuzuarit, ishte bërë pasi që Agim Ademi e njihte Sami Hamitin dhe ky i fundit, sipas tij, mund të ndikonte që pronën që ndodhej në zonën e gjelbër në lagjen “Taukbahçe” të kryeqytetit, që Kadolli ishte i autorizuar ta shiste, t’i lejohej ndërtimi.

Në vazhdimin e këtij gjykimi, të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i dëmtuari ka deklaruar se të akuzuarit Muharrem Rama dhe Agim Ademi, i kishin kërkuar atij një veturë të tipit “BMW X5”, për kryesuesin e atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti.

Kadolli ka thënë se pasi ishte grushtuar nga i akuzuari Muharrem Rama, një ditë më vonë në mëngjes ishte takuar me të njëjtin dhe kishte biseduar rreth veturës “BMW X5” të cilën, sipas Kadollit, i akuzuari Rama ia kishte kërkuar që t’ia jep Sami Hamitit.

I dëmtuari Kadolli, ka deklaruar se i akuzuari Muharrem Rama, ia kishte kërkuar atij një veturë të markës “BMW 5”, në emër të ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti.

Sipas tij, ai me hetuesit e EULEX-it, ishte njohur pasi që ai merret me patundshmëri dhe shumica e stafit te tyre kishin marrë banesa me qira. Sipas tij, ky ishte realacioni apo forma se si ishte njohur me disa nga ta.

Pasi që i dëmtuari tha se ka probleme shëndetësore dhe nuk mund të rri më gjatë, seanca u ndërpre për të vazhduar më 7 qershor 2018, në orën 9:30 ku do të vazhdojë marrja e tij në pyetje nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Agim Ademi.

Aktakuza ndaj Muharrem Ramës dhe Agim Ademit është ngritur në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Aktakuza ndaj Muharrem Ramës dhe Agim Ademit është ngritur në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it me Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Agim Ademi dhe Muharrem Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kanë kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje. Ndërkaq në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje pasi që në të njejtën periudhë kohore të lartë cekur ata kanë kërkuar nga Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit BMË X5, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në ‘zonë ndërtimore’”, thuhet në aktakuzë.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm i FFK-së ka votuar sot për president të ri Agim Ademin, me mandat katërvjeçar.

Ademi u votua me unanimitet të plotë nga 58 delegatët e Kuvendit të FFK-së. Ai në këtë post do ta pasojë presidentin legjendar, Fadil Vokrri, i cili muajin e kaluar papritmas ndërroi jetë. /Insdajeri.com/