Zyrtarë komunal serb të Kosovës, po ushtrojnë nëpër poligone ku organizohen qitje me armë dhe ushtrime ushtarake të armatosura në veri të Kosovës, të cilat poligone janë ndërtuar nga Serbia, brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Ky është skandal dhe Qeveria e Kosovës duhet të merret me këtë. Kështu pohon në një intervistë për KosovaPress, Glauk Konjufca, i cili thotë se kanë marrë foto nga një qytetar ku dëshmohet për një gjë të tillë, e cila situatë del të jetë alarmante.
“Vet kryetari i komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiq, e mban në të njëjtën kohë edhe postin e kryetarit të komunës paralele të Vitisë. Dhe ky merr pagë edhe nga Serbia dhe drejtpërdrejtë nga institucionet e Kosovës, meqenëse është edhe kryetar zyrtar i komunës së Kllokotit. Ky me një grup të njerëzve ka fotografi të cilat na kanë ardhur neve dhe të cilat tregojnë se ushtrojnë nëpër poligone, ku organizohen qitje me armë dhe ushtrime ushtarake të armatosura në veri të Kosovës, të cilat poligone janë ndërtuar nga Serbia, brenda territorit të Republikës së Kosovës. Këto dokumente, këto fakte, emrat e tyre, identiteti i tyre, kontot e tyre në bankë, prej ka e marrin rrogën prej Serbisë, prej ministrisë së Financave, të gjitha këto i janë dorëzuar një punëtori shqiptar në komunën e Kllokotit, nga një serb i cili është larguar nga puna prej këtyre njerëzve. Ai në shenjë hakmarrje që e kanë larguar nga puna, ka qenë zyrtar i Kllokotit, ia ka dhënë një zyrtari të komunës së Kllokotit, por i cili është shqiptar”, deklaron Konjufca.
Ndërsa thotë se institucionet tona nuk po bëjnë asgjë lidhur me këtë dhe se do të ishte skandaloze nëse Qeveria nuk di se çfarë po ndodh brenda territorit të saj.
“Institucionet tona nuk po bëjnë asgjë lidhur me këtë. Unë shtrova pyetjen në seancë nëse Qeveria e Kosovës i di këto. Nëse nuk do t’i dinte, do të ishte vërtetë shqetësuese. Qysh nuk po e din Qeveria çka po ndodh në territorin e vet. Çfarë aktivitete armiqësore dhe të cilat e rrezikojnë seriozisht sovranitetin e vendit tonë. Serbia pra paska poligone të ushtrimeve të armatosura në Kosovë. Do të duhej me të vërtetë të ishte lajmi i ditës. Merre me mend, po të shiheshin grupe të armatosura të shqiptarëve, të cilët kanë ndërtuar poligone ku do të ushtrojnë me armë zjarri. Do të ishte, po themi, dhe në Bruksel edhe në BE do të qoheshin dhe do të kapeshin ata njerëz në fund të fundit. Por kjo nuk po ndodh për strukturat e paligjshme të Serbisë në Kosovë”, thotë Konjufca.
Deputeti i Vetëvendosje, ka folur dhe për një rast tjetër, për të cilin dy ditë më parë u raportua nga KosovaPress. Faktet e raportimit nga veriu i Kosovës, tregonin për të dyshuarit për vrasjen e policit Enver Zymberajt, të cilët kishin rrahur dëshmitarin kryesor të rastit, i cili ka dëshmuar kundër tyre. Glauk Konjufca këto fakte të dëshmuara nga KosovaPress i quan skandaloze dhe thotë se as institucionet e vendit dhe as EULEX-i edhe në këtë rast nuk ndërmarrin asgjë, ngase bëhet fjalë për pjesën veriore të vendit.
“Hiq më larg se para dy ditësh, dy të dyshuarit kryesor për vrasjen e Enver Zymberit, e kanë rrahur për vdekje dëshmitarin kryesor, i cili ka dëshmuar kundër tyre, që mund të kenë qenë në veri të Kosovës. Kjo është definitivisht skandaloze. Ndërsa institucionet e Kosovës dhe EULEX-i, vet ankohen për kërcënime të dëshmitarëve… Flitet gjithmonë për pjesën jugore të Kosovës, por kur është në veri të Kosovës edhe nëse je dëshmitar i cili ke parë diçka që strukturat paralele kanë shkaktuar, siç është vrasja e Enver Zymberit, përfundojnë të rrahur, përfundojnë në spital dhe askus h nuk jep llogari. Të dyshuarit për vrasjen e Enver Zymberit janë sot e kësaj dite të lirë dhe institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asgjë. Bile as EULEX-i nuk ka ndërmarrë asgjë kundër tyre”, theksoi ai.
Konjufca ka folur dhe për Urën e Ibrit, për të cilën kryeministri i vendit pati deklaruar se do të lirohet me 15 qershor, gjë e cila në realitet nuk ndodhi. Ai thotë se kjo tregon që kjo Qeveri, nuk është aspak serioze.
Përndryshe, redaksia jonë ka tentuar që nga dje të marrë deklarimet e Qeverisë rreth këtyre akuzave të prezantuara nga Vetëvendosje dhe raportimeve të KosovaPress, por përgjigja e tyre deri në kohën e publikimit të këtij teksti nuk është kthyer në asnjë formë.
Elezi: Sot përmbyllet rinumërimi, rezultatet përfundimtare s...
Ushtarë të FSK-së i bashkohen ushtrimit fushor “KFOR 36”
Ndalohet importi i deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut
OVL UÇK-ja nis mobilizimin e degëve, për protestën e 17 shku...
KFOR-i gjerman patrullon në veri
Komunat në veri votojnë sërish për t’u tërhequr nga Asociaci...