Tetori i vitit të kaluar ishte i kobshëm për familjen Ajeti. Ajo mbeti pa njërin nga djemtë e saj. Nazmi Ajetit iu shua jeta nga njëri prej anëtarëve të familjes Emini. Përkundër dhimbjes që familja Ajeti ka, ata sot sipas kodit shqiptarë tradicional të faljes së gjakut ia shtrinë dorën e pajtimit familjes së Valon Eminit.
Kulla e Zahir Pajazitit në Orllan të Podujevës, priti sot të dy familjet, të cilat u pajtuan që hasmërinë e tyre ta kthejnë në miqësi. Gjaku u fal.
Të pranishëm ishin shumë miq e dashamir të dy familjeve. Kryefamiljari i familjes Ajeti tha se sot nuk po pajtohen vetëm dy familjet e tyre por qëllimi është që kjo të jetë edhe shenjë e pajtimit dhe afërsisë që duhet të ketë kombi ynë në çështje të mëdha për të ardhmen e vendit.
Bajram Ajeti tha se Nazmiun e ndjerë tashmë e kemi tek Zahiri dhe shokët e tij, e për këtë dhimbja e tyre është më e lehtë.
“Fal burrave, fal të drejtës zakonore të popullit tonë që po e trashëgojmë me shekuj që kisha dashur një ditë mos ta kemi, por ta kemi ligjin , një shtet ligjorë që do ti trajtoj çështjet edhe rastet e tilla, the m se pajtimi është i domosdoshëm. Pajtimin ne si komb e kemi provuar edhe më herët këtë e dini të gjithë, pajtimet janë e vetmja mënyrë jo vetëm për të pajtuar dy familje por për tu pajtuar edhe si komb për çështje të mëdha, për çështje të ardhmërisë së kombit. Në këtë ditë kemi ardhur në përkujtim të një heroi legjendar siç është Zahir Pajaziti, dhe tija falësh gjakun idealit, gjakut të Zahir Pajazitit, është nderë. Nuk është trim ai që e shtrin dorën e krimit por ai që e shtrin dorën e pajtimit. Nazin e kemi qua te Zahiri, e kur kemi burra të tillë të ja qojmë Zahirit edhe ne duhet të bëhemi të mëdhenj, zemër mëdhenj, që tija falim edhe me shpirt edhe me zemër”, tha Bajram Ajeti.
Në emër të familjes Ajeti, Bajrami tha se familja e tij do të donte shumë që vendi ynë të kishte një shtet në të cilin ligjet për këto raste të funksionon më mirë dhe drejtë.
I pranishëm në faljen e gjakut ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili me një fjalë rasti tha se është një nderë i madh të falësh gjakun e vëllait. Haradinja si shenjë respekti i dhuroj një flamur kombëtar vëllait të të ndjerit.
“Me mbyll një plagë tonën të re shqiptare është punë e madhe, është vepër e madhe është diçka që të gjithë ata që marrin pjesë në të do të jenë gjithë jetën të nderuar. Veçanërisht sot për mua është nder i madh me qenë para familjes Ajeti edhe me e pa këtë akt me sy, dhe me e pa te këta nderin dhe guximin që me falë gjakun e vëllait të vetë. Ky është nder i madh, qofshin të nderuar”, tha Haradinaj.
Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari tha se familja Ajeti me faljen e gjakut bëri që të shtrij dorën dhe mendjen e pajtimit për kombin.
“Dua të them vetëm një fjalë, familja Ajeti sot i fali gjakun dhe shtriu dorën e pajtimit për kombin. Familja Ajeti sot bëri pajtimin para njeriut, figurës, personalitetit nga i cili trembej edhe plumbi, Gjeneralit dhe themeluesit të ushtrisë tonë të lavdishme, komandantit Zahir Pajaziti “,tha ai.
Nga akti i sotëm në kullën e Zahir Pajaziti, shumë nga pjesëmarrësit thanë se falja e gjakut sot tregoj se populli e ka të domosdoshme që të mos e harroj humanitetin që e ka përcjell kombin tonë ndër shekuj. Megjithatë drejtësia duhet të justifikojë punën e vetë dhe të qetësojë shpirtin hakmarrës të njeriut.
Parashikimi i motit për të enjten
Nesër pritet të mbahet takimi mes Bislimit e Petkoviqit në B...
Arsenali dhe Chelsea në luftë për yllin e Real Madridit R...
Edi Rama i çon projektligj Kuvendit të Shqipërisë për Bordin...
Moti i lig në Greqi merr jetën e dy njerëzve
Samiti BE–Ballkani Perëndimor do të mbahet më 5 qershor në M...