​Cili zyrtar merr pagë më të lartë se kryeministri i Kosovës

16:03 | 7 Maj 2016
M. A.

Legjislacioni i aplikueshëm në vend ende nuk e ka ndërtuar një model unik të financimit për institucionet e pavarura në Kosovë. Kjo ka bërë që të ketë dallime enorme të të ardhurave nëpër agjenci të ndryshme, pavarësisht statusit të njëjtë ligjor.

Shumica prej tyre financohen nga buxheti i Kosovës, i cili miratohet çdo vit nga Kuvendi. Në agjencitë dhe institucionet që udhëhiqen nga bordet e votuara kryesisht nga Kuvendi i Kosovës, pagat dhe mëditjet që marrin kryesuesit dhe anëtarët e këtyre bordeve tejkalojnë me paga edhe vetë përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Në bazë të deklarimit të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion, paga mujore e anëtarit të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Besim Sejfijaj, është 1 mijë e 800 euro. Ndërsa paga e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është 1 mijë e 300 euro.

Ndonëse në të gjitha legjislaturat, ishte paraparë si prioritet i Qeverisë hartimi i projektligjit për pagat, i cili do të bënte nivelizimin e tyre, në Kuvendin e Kosovës nuk arriti të procedohet as edhe njëherë.

Shqetësuese mbetet kjo dukuri për anëtarët e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa. Kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani, tha se vazhdimisht janë ballafaquar me përcaktimin e pagave pasi ka mungesë të ligjit të posaçëm që do të rregullonte të ardhurat e funksionarëve të lartë.

Kritike ndaj kësaj çështje është edhe Safete Hadërgjonaj, anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Sipas saj, mungesa e ligjit ka bërë që caktimi i pagave të anëtarëve të borde ve të agjencive të funksionoj me rregullore të trashëguara që nga koha e UNMIK-ut.

Ajo ka shtuar se Qeveria në strategjinë e saj, në të gjitha mandatet, e ka paraparë hartimin e ligjit dhe për këtë arsye thotë se Kuvendi nuk ka mundësi të inicimit të këtij ligji.

 

“Edhe për kundër që unë kamë bërë kërkesë të vazhdueshme, ligji për pagat e funksionarëve të lartë parashihet në strategjinë legjislative të Qeverisë, por ata nuk e kanë sjell atë në Kuvend për miratim. Ne tash kemi problem që edhe me iniciua grupin punues për me marrë përsipër hartimin e këtij ligji. Tash duhet me u harmonizua ndoshta me Qeverinë dhe me iniciua këtë çështje, që më në fund ta kemi ligjin. Pagat janë të ndryshme dhe ne kur merremi me hartimin e buxhetit na vërshojnë kërkesat që me u harmonizua me pagën e një institucioni tjetër dhe ne nuk kemi mundësi ta bëjmë një gjë se nuk ka ligj”, tha Hadërgjonaj për KosovaPress.

Si në mandatet e kaluara ashtu edhe në këtë mandat, Qeveria ka të paraparë në programin legjislativ të vitit 2016 hartimin e Projektligji për pagat, që realizohen nga buxheti i Republikës së Kosovës. Sipas parashikimeve të Qeverisë, ky projektligj do të hartohet në fund të muajit nëntor të këtij viti. Ministria e Administratës Publike (MAP) është hartuese e këtij projektligji.

Edhe përkundër që KosovaPress ka tentuar që të marrë përgjigje rreth fazës se ku ndodhet ky projektligj, MAP-i nuk ka kthyer përgjigje zyrtare.

Përndryshe, sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë 32 institucione të pavarura dhe 36 ndërmarrje publike. Të gjith a këto institucione kanë borde të cilët paguhen nga taksapaguesit kosovarë, për çka edhe këta të fundit nuk kanë asnjë informatë se pse qeverisjet e deritashme nuk kanë arritur të bëjnë nivelizimin e pagave për shumë nga anëtarët e bordeve, të cilët për dallim nga standardi ekonomik në vend paguhen shumëfish më shumë.

Shpërndaje në rrjete sociale