​I jepet lamtumira e fundit elektricistit Uliks Bicurrit

20:35 | 28 Korrik 2015
M. A.

Me nderime të larta u varros sot Uliks Bicurri, i cili ndërroi jetë dje tragjikisht dhe aksidentalisht deri sa po punonte në një shtyllë elektrike si punëtor i KEDS- it.

Homazhe pranë trupit të pajetë i cili ishte i vendosur në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë kanë bërë zyrtarë të komunës së Gjakovës, të prirë nga kryetarja Mimoza Kusari -Lila pastaj bashkëluftëtarë, me të cilët ndau ditët e luftës vet Uliksi , shokë , familjarë , bashkëpunëtorë të distriktit të KEDS-it në Gjakovë e qytetarë të shumtë.

Paraprakisht përfaqësues të brigadës “137 Gjakova” organizuan mbledhje komemorative, ku mes tjerash u kujtua vepra dhe puna e të ndjerit.

Ndërkaq, kryetarja e komunës, Mimoza Kusari Lila tha se me Uliksin po ndahen vetëm fizikisht sepse ata që kontribuojnë për atdheun nuk ndahen përjetësisht nga të gjallët.

 

“Jemi në këtë çast që askush nuk e priste por as nuk e paramendonte. Për herë të fund it po përshëndetemi jashtëzakonisht trishtëm me familjarët, njeriun e dashur, të çmuar, të respektuar dhe birin e kësaj toke Uliksin e shtrenjtë. Uliksi para më shumë se një dekade ishte një shembull në luftë, ndërsa dje u tregua edhe në punë me virtyte, ambicie dhe seriozitet”, tha Kusari-Lila.

Për ta respektuar dhe vlerësuar punën e Uliksit, i pranishëm në homazhe ishte edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit të UCK-së Ramush Haradinaj, i cili tha se njerëzit si Uliksi, të cilët e japin jetën për liri janë të rrallë.

 

“Për të folur në një moment të tillë që është ndarje, pikëllim mundohesh me e gjet krahasimin në cilën kate gori të momenteve të jetës së njerëzve hyn ky moment i tillë i përjetimit të sotëm…kur ndahesh nga njerëzit që jetën e tyre e ofruan për lirinë e tjerëve, kjo është ndarje e veçantë. Janë kategori e rrallë e njerëzve nëpër kombe, nëpër popuj ata të cilët e ofrojnë jetën e vet në mënyrë që tjerët të jetojnë të lirë…Uliksi e ka dhënë jetën e vet në luftë…ai e dha jetën e vet në shërbim të asaj për të cilën shumë kishte besuar, lirinë, njerëzit dhe u kthye në një njeri model për gjithë ne”, tha Haradinaj.

Kurse familjari i Uliksit, Besian Bicurri, tha se Gjakova humbi një emër, i cili do të skalitet në rreshta të artë.

 

“Unë Uliksin nuk e kam pasur vetëm axhosh por e kam pasur edhe shok. ..edhe unë po ndaj sot me ju dhimbje të madhe për humbjen e Uliksit tonë të dashur por bashkërisht këto ndjenja të Uliksit po e kuptojmë me shumë respekt për veten, veprën, kontributin që e ka dhënë për vendin e tij. Ne sot humbëm një qytetar të ndershëm të Kosovës…Gjakova humbi një emër, sepse emri i Uliksit do të skalitet në rreshta të artë”, tha Bicurri.

Ndërkohë në librin e zisë të hapur në foajenë e pallatit të kulturës në Gjakovë qytetarët patën rastin të lënë mesazhin e fundit për Uliks Bicurrin.

Shpërndaje në rrjete sociale