Sevdie Morina, nëna e Hekuran Morinës, i cili u vra më datën 7 të këtij muaji, qëndroi sot para institucioneve të drejtësisë në Prizren, duke kërkuar zbardhjen e rastit të djalit të saj të vrarë. Duke kërkuar drejtësi, orët e pasdites ajo i kaloi para Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë së shtetit, bashkë me familjarët dhe qytetarë tjerë.
Gjatë ditës, ata u pritën në takim nga kryetari i Gjykatës Themelore dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.
Përfaqësuesit e gjyqësorit u zotuan për përkushtim drejt zbardhjes së këtij, dhe rasteve tjera në Kosovë, por familjarët nuk besojnë shumë në sistemin e drejtësisë në vend, sepse, sipas tyre, kriminelët janë të lidhur me pushtetarët në gjyqësi.
Nëna e Hekuranit, duke u përpjekur të rrëfejë për kërcënimet që kanë marrë përpara se t’ia vrasin djalin, tha se tash u ka mbetur veç të kërkojnë drejtësi deri në pikën e fundit të zbardhjes së këtij rasti.
“Ne po kërkojmë drejtësi, çdo hap e gjithçka i kemi lajmëruar, pse po na dalin përpara, pse po vijnë po na kërcënojnë. Kjo ishte para derës së shtëpisë, veç 20 metra, hiç ma larg, i dolën djalit, 10 veta, dhe nuk ish askush me i dhënë ndihmë. Ata ishin me automatë, djali im ishte vetëm para derës së shtëpisë. Katër vetura e kanë përcjellë, dhjetë persona ishin pas tij”, tha ajo.
Ajo i hodhi poshtë thashethemet se bashkëshorti i saj, i cili ka ndërruar jetë kohë më, u u ka pasur borxhe dorasve.
“Tha baba juaj na ka pasë një borxh. Çfarë borxhi, kur ishte ai borxh, tha para 8 muajsh, kurse unë burrin e kisha një vit gjysmë pa gojë e pa lëvizje. Hija e tij paska shku i paska marrë borxh dikujt. Djali i madh Fadili i tha, qysh baba jonë ka qenë një vjet në spitalin e Shkupit, pa lëvizje, kur mundi ai të vijë tek ju dhe të iu marrë diçka që nuk është hiç”, tha ajo.
Familjarët shprehën dhimbjen, dhe mllefin njëkohësisht, për atë që u ndodhi javën e kaluar.
A ni pse sot kishin dalë të kërkojnë drejtësi, ata më nuk besojnë në të.
Sipas Aziz Morinës, që është njëri nga familjarët, kriminelët në Kosovë janë të lidhur me pushtetarët në gjyqësi, andaj nuk ka funksionim të drejtësisë në vend.
Dhjetëra qytetarë, familjarë të Hekuran Morinës, në mesin e tyre fëmijë e pleq, qëndruan rreth dy orë parapara GJykatës themelore dhe Prokurorisë.
Disa nga familjarët arritën të takoheshin edhe me kryetarin e gjykatës, ku sipas tyre, u ka premtuar përkushtim në zbardhjen e këtij rasti.
Derisa zëdhënësja e gjykatës Afërdita Kicaj u tha se Gjykata Themelore nuk është vendi ku ata duhet të drejtohen për pakënaqësitë e tyre.
“Ne si gjykatë jemi ta pavarur në marrjen e vendimeve, kundër vendimit të gjykatës mund të lejohet ankesa në shkallën e dytë. Hetimet duhet të kërkohen nga policia dhe prokuroria, ndë rsa kjo është adresa e gabuar ku jeni orientuar”, tha ajo.
Ata u pritën në takim nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, i cili tha se janë duke i kryer të gjitha obligimet ligjore për të bashkëpunuar me organet tjera përgjegjëse, në mënyrë që të ndriçohet rasti sa më parë.
“Policia janë në kërkim të tij, kjo është çështje policore. Krejt ato çka i nevojiten policisë, ne ia kemi dhënë dhe do t’ia japim. Do t’i kryejmë obligimet tona me ligj. Ku gjendet vendndodhja e tij, lëvizja e tij, janë çështje policore. Unë jam në kontakt të shpeshtë më policinë edhe për këtë rast, policia po punojnë me intensitet me rastin korrekt, tash po presim”, tha ai.
Me gjithë zotimet të përfaqësuesve institucionale, se do të bëjnë përpjekje për të zbardhu r rastin, ata nuk kanë ndonjë shpresë.
Nëse nuk gjejnë zgjidhje të problemit të tyre në organet e rendit dhe ligjit ,ata thonë se do të marrin masa tjera.
“Do të merremi me vetëmbrojtje, kjo nuk do koment, nëse shteti dhe pushteti nuk na merr në mbrojtje si qytetarë, atëherë natyrisht se qytetarët do të lirohen të marrin vetveten në mbrojtje sikurse ne, dashtë Zoti mos të detyrohemi”, tha Aziz Morina.
Me datën 7 të këtij muaji, në Bazhderhane të Prizrenit, u vra 40 vjeçari Hekuran Morina, u plagos vëllau i tij Fadil Morina, dhëndri dhe një kalimtar rasti. Siç kishte deklaruar policia, motivi i këtij akti qe shantazhimi. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është Bernard Prelazri, i cili së fundi pati një proces gjyqësor dhe vetëm disa ditë pasi doli nga paraburgimi qëlloi mbi Hekuran Morinën.
Sipas familjarëve, Bernard Prelarzi, i cili tash gjendet në arrati, kishte kërkuar “kthimin e borxhit”, që sipas tij, babai i Hekuranit ia kishte marrë. Familjarët nuk pranojnë të kenë pasur një borxh të tillë, andaj sot me pankartat në duar “kërkojmë drejtësi”, “kriminelët në burg”, “kërkojmë përgjegjësi, pse po i lejoni kriminelët ta na vrasin”, kërkuan drejtësi para organeve përgjegjëse në Prizren.
Protesta qe e qetë dhe zgjati rreth dy orë.
Ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve
Kisha në Amsterdam shkatërrohet nga zjarri në natën e Vitit ...
Zjarri në resortin e skive në Zvicër që la dhjetëra të vdeku...
Nesër i jepet lamtumira e fundit ish-kryeparlamentarit, Nexh...
Osmani shpreh ngushëllime për viktimat në Zvicër
Kurti: KEK-u po prodhon me kapacitet maksimal