Posta e Kosovës (PK), që nga ndarja nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ka pasur probleme të mëdha financiare. Krejt kjo ka ardhur si rezultat i keq menaxhimit të mjeteve financiare.
Bazuar në raportin e auditorit të brendshëm për vitin 2012/2014, të cilin e ka siguruar “KosovaPress”, shihet që menaxhmenti mjetet e destinuara për investime kapitale i ka shpenzuar për nevoja operative, madje ky ndryshim i destinimit është bërë pa pëlqim të bordit. Po ashtu ky auditim ka gjetur parregullsi edhe tek depozitat e postes që ndodhen në bankat që operojnë në vend.
Të dhënat e paraqitura të auditorit tregojnë se nga 6,090,080 euro të destitnuara për investime kapitale, janë shpenzuar 2,962,261 euro, apo 49 për qind. Sipas auditorit vlera e mbetur prej 3,127,819 euro ka qenë e destinuar për shpenzime kapitale, e që nuk është shpenzuar për këtë destinim.
“Nëse e konsiderojmë se mjetet/paraja e gatshme në vlerë prej 272,974 euro që me datën 31.10.2014 PK kishte në dispozicion dhe do të shfrytëzonte në total për investime kapitale, atëherë rrjedh diferenca prej 2.855.025 euro është shpenzuar për shpenzime operative e jo konform asaj se për çka kanë qenë të destinuara. Depozita në vlerë prej 271.300 euro është në përdorim si garancion për ushtrimin e veprimtarisë të shërbimeve financiare jo-bankare”, thuhet në raportin e auditorit.
Po ashtu auditori ka konstatuar se ndërrimi i destinacioneve të shfrytëzimit të fondeve të PK është bërë nga drejtoria e financave dhe thesarit pa asnjë aprovim paraprak nga menaxhmenti dhe bordi i PK-së. Për çka sipas auditorit ka rezultuar me një menaxhim jo të mirë të mjeteve/fondeve të kompanisë dhe moszbatimi i bordit të drejtorëve për pjesën e shpenzimeve kapitale dhe atyre operative.
Për këtë parregullsi auditori ka vlerësuar se kjo rezulton me një nivel të lartë të rrezikut të likuiditetit që është mundësia e humbjes financiare si rezultat i mungesës së aktiveve likuide të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet ku r ato maturohen dhe kërkohen dhe ose kur subjekti nuk ka mundësi të financojë rrjedhën e aktiveve të veta.
Po ashtu sipas auditorit , PK-ja me rastin e afatizimit të depozitave të mjeteve financiare në bankat me të cilat operon kompania nuk ka pasur procedura dhe kritere të caktuara për përzgjedhjen e ofertave më të favorshme.
PK-ja sipas auditorit për periudhën raportuese ka investuar mjeteve e veta në depozita në tri banka vendore dhe atë në Bankën Ekonomike , Bankën Kombëtare Tregtare dhe në NLB. Nga ky investim të hyrat nga interesi për periudhën 01.08.2013/31.10.2014 kanë qenë 244.8657.18 euro.
“Gjatë auditimit kemi konstatuar se me rastin e investimeve të parave/depozitave, është vendosur vetëm nga ana e drejtorisë së financave dhe thesarit të PK-së, pa një konsultim apo aprovim paraprak nga ana e menaxhmentit dhe bordit. Përzgjedhja e bankave në këtë shërbim është bërë pa kritere të caktuara paraprakisht përveç rastit të afatizimit të mjeteve në NLB”, thuhet në raportin e auditorit për periudhën 2012/2014 të financave të PK-së.
Ndërsa në përgjigjen e menaxhmentit për këto parregullsi thuhet se “dy gjetjet nuk janë relevante dhe janë të pa bazuara dhe nuk mund të konsiderohen si çështje të rëndësishme pasi që ne të gjithë së bashku me ju kemi qenë në dijeni për shpenzimet dhe gjendjen financiare të korporatës”.
Ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve
Kisha në Amsterdam shkatërrohet nga zjarri në natën e Vitit ...
Zjarri në resortin e skive në Zvicër që la dhjetëra të vdeku...
Nesër i jepet lamtumira e fundit ish-kryeparlamentarit, Nexh...
Osmani shpreh ngushëllime për viktimat në Zvicër
Kurti: KEK-u po prodhon me kapacitet maksimal