FMN-ja kërkon plotësimin e bordit të BQK-së dhe ndryshime të ligjeve e rregulloreve për bankat

11:28 | 18 Shkurt 2021

Fondi Monetar Ndërkombëtarë në raportin për Kosovën, kërkon që të plotësohet Bordi Ekzekutiv në Bankën Qendrore, për të rishikuar strukturën organizative të BQK-së.

Në pikën 33 të këtij raporti 89 faqësh thuhet se plotësimi i Bordit është thelbësor për të siguruar mbikëqyrjen dhe që politikat e tij të kenë mbështetjen e duhur institucionale, shkruan arbresh.info.

“Ndërsa Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka identifikuar kandidatë të përshtatshëm për të plotësuar vendet vakante ekzistuese të Bordit, emërimi i anëtarëve të rinj duhet të presë konstituimin e një Parlamenti të ri. Një përmbledhje dhe azhurnim i strukturës organizative të BQK-së është e nevojshme për të vlerësuar efektivitetin e organeve vendimmarrëse dhe për të rifreskuar rolet e tyre dhe përgjegjësitë”, thuhet në raport.

FMN-ja rekomandon që sapo Bordi i BQK-së të rifillojë punën, ai duhet të sigurojë se stabiliteti financiar dhe funksionet e politikës makroprudenciale janë të përfaqësuara në mënyrë adekuate në Bordin Ekzekutiv të BQK-së.

“Në përgjithësi, stafi u bëri thirrje të shkojnë përpara me zbatimin e rekomandimeve tjera të përmendura në raport”, thuhet në raportin e FMN-së.

Në pikën 34 të këtij raporti kërkohet që baza ligjore për fuqitë e politikës makroprudenciale të BQK-së të forcohen.

“Janë të nevojshme ndryshime në ligjin për bankat dhe rregulloret shoqëruese që forcojnë fuqitë e politikës makroprudenciale të BQK-së. Stafi u bëri thirrje për ushtrime të testeve të stresit të integruara brenda zonës së stabilitetit financiar, dhe që rezultatet e tyre t’u komunikohen bankave”, thuhet në raport.

FMN-ja rekomandoi zhvillimin e mjeteve për të vlerësuar rrezikun e kredisë bazuar në të dhëna të imta nga Regjistri i Kredive./arbresh.info/

Raporti i FMN-së për Kosovën: Rënie e madhe e flukseve hyrëse të diasporës, më së shumti në turizëm

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara