Aliu: Korridoret e transportit janë jetike për ekonomitë tona

15:47 | 22 Tetor 2021

Organizuar nga Ministria e Investimeve Kapitale në Malin e Zi, së bashku me Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit të Transportit, dhe Nismën e Evropës Qendrore (NEQ/CEI), sot u mbajt konferenca e nivelit të  lartë në Budva, Mal të Zi, në kuadër të procesit të modernizimit të transportit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo konferencë si qëllim ka bashkimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të tyre në thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën e transportit. Ministrat përgjegjës për transportin shqyrtuar progresin njëvjeçar nga miratimi i Planeve të Veprimit të Komunitetit të Transportit, për Rrugët, Hekurudhat, Lehtësimin e Transportit dhe Sigurinë Rrugore.

Ministri Liburn Aliu në fjalimin e tij hyrës, shprehu se është i nderuar të jetë pjesë e një arritje të madhe nga të gjithë ministrat përgjegjës për transportin, kështu duke shfrytëzuar edhe më tej mundësitë e bashkëpunimit  mes vendeve tona në avancimin e zbatimit të reformave dhe politikave në fushën e transportit.

“Transporti dhe krijimi i lidhjeve më të sigurta dhe më  të qëndrueshme janë vendimtare për rritjen tonë ekonomike dhe fqinjësisë së mirë në kuadër të proceseve të integrimit drejt një ekonomie të cilën ne të gjithë mund të përfitojmë nga bashkëpunimi i ndërsjellë”, citohet të ketë thënë Aliu.

Sipas tij është thelbësore që qeveritë tona të forcojnë lidhjet ekonomike në të gjithë rajonin, të investojnë dhe përmirësojnë infrastrukturën, kështu duke arritur që të krijojmë lidhje të drejtpërdrejta dhe më të sigurta rrugore e hekurudhore, që do të kontribuojnë po ashtu në krijimin e ndërlidhjës në fushën digjitale dhe energjetike.

“Për më shumë, duhet të ndërtojmë rrugë të modernizuara, të pajisura me stacione të tarifimit elektrik dhe lëndëve tjera alternative, përgjatë korridoreve tona kryesore rrugore dhe hekurudhore, me të njejtin standard e me të njejtin synim të  anëtarësimit gjithëpërfshirës të rajonit në BE”, deklaroi ai.

Ai shtoi se korridoret e transportit që funksionojnë pa probleme janë jetike për ekonomitë tona.

“Është thelbësore që t’u kushtojmë vëmendje atyre – për të promovuar efikasitetin dhe trajtimin e qëndrueshëm të udhëtimit të  njerëzve dhe flukseve të ngarkesave, një mjedis të shëndetshëm dhe një ekonomi konkurruese”, është shprehur Aliu.

Konferenca e ardhshme për transportin, është paraparë të mbahet në Kosovë vitin e ardhshëm./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara