Italia e dyta në Europë për vaksinimet

07:20 | 7 Qershor 2021

Me 600 mijë vaksina të administruara vetëm gjatë kësaj jave, Italia është renditur në vendin e dytë mes vendeve të Bashkimit Europian për numrin total të vaksinimeve. Mediat italiane raportojnë se numri i dozave të administruara në total ka kaluar tashmë pragun 37 milionë.

Këtë javë pritet të nisin edhe vaksinimet për të pastrehët e grupet e tjera vulnerabël. Do të jenë shoqatat që mbrojnë interesat e tyre ato që do të merren me organizimin e procesit dhe për identifikimin e objekteve ku do të kryhet injektimi i dozave për këto kategori.

Italia renditet menjëherë pas Gjermanisë dhe përpara Francës dhe Spanjës duke ia atribuuar këtë sukses pjesërisht rritjes së numrit të qendrave të vaksinimit.

800 qendra të reja do të hapen gjithashtu gradualisht në javët e ardhshme.

Sipas shifrave të botuara në faqen e qeverisë italiane, 12,7 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht ose 23,48% e popullsisë mbi moshën 12 vjeç.

Ndërkohë Lombardia, zona më e goditur e Italisë nga COVID-19 është pranë imunitetit të tufës.

Sipas Letizia Moratti, nënkryetarja e rajonit, tanimë Lombardia po i afrohet 70% e popullsisë së vaksinuar. Një përqindje që do të nënkuptonte arritjen e imunitetit të komunitetit./express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara