Zhduket ish-agjenti, tha se Rusia ka të dhëna kompromentuese për Trump

18:04 | 12 Janar 2017
Trina Galanxhi

Ish-agjenti i MI6, Christopher Steele, i cili spekuloi se Rusia ka të dhëna që mund të kompromentojnë Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, është fshehur pasi druhet se mund të sulmohet nga agjentë rusë, vetëm pak orë pasi emri i tij u bë publik.

Lajmi është konfirmuar nga mediat britanike, të cilat raportojnë se 52-vjeçari është larguar në drejtim të paditur dhe se e kishte bërë të qartë motivin e këtij largimi. Një gjë e tillë është pranuar edhe nga të afërmit të cilët thanë se Steele nuk po qëndron më në shtëpinë e tij e cila ndodhet në Surrey të Britanisë.

Dikur një agjent i inteligjencës britanike, Steele kishte themeluar një kompani private inteligjence së bashku me një ish-koleg të tijin. Ai mendohet të jetë sponsorizuar fillimisht nga republikanët që nuk e mbështesnin kandidaturën e Donald Trump për të zbuluar lidhjet që ky i fundit akuzohet se ka me Rusinë. Pas disa muajsh hetime, Steele hartoi një raport i cili u mor më pas edhe nga CIA, ku thuhej se Moska zyrtare ka të dhëna dhe materiale që mund të dëmtojnë rëndë imazhin e Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe se me këto informacione, Rusia mund t’a shantazhojë liderin e ardhshëm të Shtëpsië së Bardhë.

Megjithatë, këto pretendime u hodhën poshtë si nga republikani, ashtu edhe nga qeveria e Rusisë, e cila nëpërmjet një komunikate për mediat, raportoi se kjo është një fantazi e shfrenuar e perëndimit dhe se nuk posedonte asnjë material të tillë. Ende nuk dihet se ku mund të ketë shkuar ish-agjenti i MI6, ndërkohë që do të duhet të pritet edhe një komunikatë zyrtare nga Briania.

Steele njihet gjithashtu edhe për hetimet e bëra në lidhje me rastin e agjentit të dyfishtë, Alexander Litvinenko.

Shpërndaje në rrjete sociale