Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i përfundoi bisedimet me presidentin amerikan, Donald Trump, pa e arritur ndonjë marrëveshje për paqe, por tha se ekipet amerikane dhe ukrainase do të takohen sërish së shpejti dhe se do të mbahet një takim i liderëve – përfshirë edhe ata nga Evropa – muajin e ardhshëm në Uashington.
Zelensky shkroi më 28 dhjetor në rrjetet sociale se “patëm diskutim thelbësor për të gjitha çështjet”, përfshirë ato që lidhen me garancitë jetike të sigurisë, gjatë takimit në resortin Mar-a-Lago të Trumpit në Florida.
“Biseduam për të gjitha aspektet e kornizës së paqes dhe arritëm rezultate të rëndësishme”, shkroi Zelensky.
“Ne gjithashtu shtjelluam rendin e veprimeve të mëtejshme. U pajtuam se garancitë e sigurisë janë jetike në rrugën drejt arritjes së një paqeje të qëndrueshme”, shtoi ai.
Takimi i Trumpit me Zelenskyn erdhi pas disa javëve të përpjekjeve të shtuara diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili ka vrarë ose plagosur më shumë se 1.5 milion ushtarë në të dyja palët gjatë pothuajse katër vjetëve.
“Në drejtimin e duhur”
Pas dy orëve bisedime, Trump theksoi se bisedimet për paqen po “lëvizin në drejtimin e duhur”. Ai nuk përmendi mundësinë e pritjes së liderëve në Uashington në janar.
“Po afrohemi shumë, ndoshta shumë afër… [bisedimet po] lëvizin në drejtimin e duhur”, tha Trump.
“Rusia dëshiron që [lufta] të përfundojë. Të gjithë duan që të përfundojë,” u tha ai gazetarëve pa dhënë hollësi.
Trump dhe Zelensky zhvilluan gjithashtu një bisedë telefonike me liderë evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe shefin e NATO-s, Mark Rutte.
“Së bashku me disa liderë të tjerë evropianë, mora pjesë sonte në një shkëmbim me presidentët Zelensky dhe Trump”, shkroi Macron në rrjetet sociale. “Më pas fola [veçmas] me presidentin Zelensky”.
“Po bëjmë përparim për garancitë e sigurisë që do të jenë qendrore për ndërtimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtoi ai.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi në rrjetet sociale se “Evropa është e gatshme të vazhdojë të punojë me Ukrainën dhe partnerët tanë amerikanë… thelbësore për këtë përpjekje janë garancitë e hekurta të sigurisë [për Ukrainën] që nga dita e parë”.
Kievi ka qenë i palëkundur në kërkesën për garanci sigurie, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Evropa, si dhe ka kundërshtuar kërkesat e ashpra të Kremlinit, të cilat përfshijnë dorëzimin e territoreve ukrainase Rusisë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Trump tha se çështjet territoriale – përfshirë të ardhmen e rajonit Donbas të Ukrainës – nuk janë zgjidhur.
“Është e pazgjidhur, por jemi afër. Kjo është një çështje shumë e vështirë”, tha Trump.
Zemërimi i Trumpit
Trump, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se do të mund t’i jepte fund luftës brenda një dite, është shprehur i zemëruar nga pamundësia për të përdorur atë që ai e sheh si zgjuarsinë e tij prej biznesmeni për t’i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ai ka çuar të dërguarin e tij kryesor, Steve Witkoff, në Moskë gjashtë herë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Vetë Trump u takua me liderin rus në Alaskë në gusht.
Witkoff, sekretari i Shtetit Marco Rubio, dhëndri i Trump, Jared Kushner, dhe shefi i Mbrojtjes Pete Hegseth morën pjesë në takimin e Trumpit me Zelenskyt, i cili ishte i treti për presidentin ukrainas me presidentin amerikan që nga janari.
“E gjithë bota”
Rusia nuk e bëri ndonjë koment thelbësor pas takimit dhe konferencës për shtyp Trump–Zelensky.
I dërguari special i Putinit, Kirill Dmitriev, shkroi në rrjetet sociale se “e gjithë bota i vlerëson përpjekjet për paqe të presidentit Trump dhe ekipit të tij”.
Pak para fillimit të bisedimeve, Trump dhe Putin folën në telefon, një telefonatë befasuese që Kremlini tha se zgjati më shumë se një orë dhe u bë me kërkesë të Trumpit.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump e përshkroi atë si “të mirë dhe shumë frytdhënëse”.
Këshilltari kryesor i politikës së jashtme të Putinit, Yury Ushakov, tha se Putin dhe Trump u pajtuan të mos mbështesin ndonjë shtysë për armëpushim të përkohshëm para një marrëveshjeje përfundimtare, diçka që Zelensky e ka kërkuar.
Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë propozoi një plan me 28 pika, i cili u cilësua si shumë i leverdishëm për Rusinë. Zelensky dhe negociatorët e tij – së bashku me aleatët evropianë të Kievit – kanë kërkuar të hartojnë kundërpropozime.
Plani me 20 pika i Zelenskyt, i publikuar javën e kaluar, hapi rrugën që lideri ukrainas të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara dhe të takohej me Trumpin.
Pak shenja kompromisi
Mes diplomacisë dhe negociatave, Rusia ka treguar pak prirje për të lëshuar pe, duke mos pranuar madje as ta shqyrtojë një armëpushim për Krishtlindje të propozuar nga Zelensky.
Një ditë para bisedimeve, Rusia bombardoi kryeqytetin ukrainas dhe qarqet përreth, duke lënë pothuajse 1 milion shtëpi pa energji elektrike në një kohë acari.
Në një tjetër shenjë të qartë, Putin u takua me komandantë të lartë ushtarakë, duke lavdëruar sukseset në fushëbetejë, duke pretenduar se Ukraina ishte fajtore për luftën dhe duke treguar se nuk e ka asnjë qëllim për të lëshuar pe.
Nëse Kievi nuk dëshiron “ta zgjidhë çështjen në mënyrë paqësore”, Rusia do t’i arrijë synimet e saj me forcë, tha Putin, duke përsëritur komente që i ka bërë disa herë gjatë javëve të fundit./rel
Çështja e presidentit, Hamza: Ka mundësi që të gjendet një f...
Turqi, përplasje me ISIS/ Operacion në Stamboll, vriten 3 po...
Begaj uron Kurtin për fitoren në zgjedhje: Vota të shndërroh...
Hamza: PDK ka pritur rezultat më të mirë, nuk i iki përgjegj...
Rama uron Kurtin: Fitorja të shndërrohet në sukses dhe në th...
Bllokohen akset kryesore, fermerët në Greqi nuk heqin dorë n...