Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se është krenar për vendin e tij, për “tre vjet të rezistencës” dhe për “tre vjet të heroizmit absolut të ukrainasve”.
Zelensky e lëshoi këtë deklaratë në ditën kur bëhen tre vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt, 2022.
“Faleminderit për të gjithë ata që e mbrojnë dhe e ndihmojnë Ukrainën. Për të gjithë ata që punojnë për Ukrainën. Dhe, qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për shtetin dhe popullin tonë”, tha Zelensky.
Për të shënuar këtë ditë, ai thirri një samit ndërkombëtar të sigurisë në Kiev.
Udhëheqës të Bashkimit Evropian, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të marrin pjesë.
“Ne jemi sot në Kiev, sepse Ukraina është Evropë. Në këtë luftë për mbijetesë, nuk është vetëm fati i Ukrainës që është në rrezik. Është fati i Evropës”, shkroi von der Leyen në rrjetet sociale.
Ka, gjithashtu, plane për një konferencë të përbashkët shtypi.
Në Londër, Qeveria britanike pritet të shpallë një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë.
Protesta pro Ukrainës pritet të zhvillohen jashtë ambasadave ruse në mbarë botën, përfshirë: Holandën, Kanadanë, Japoninë, Lituaninë, Suedinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Në frontin e luftës, Ushtria e Ukrainës tha se ka rrëzuar 113 nga 185 dronët sulmues rusë, që u hodhën gjatë natës në 12 rajone, përfshirë kryeqytetin Kiev.
Shtatëdhjetë e një dronët tjerë u zhdukën nga radarët pasi u bllokuan.
Dronët ukrainas, ndërkohë, goditën një rafineri nafte në qytetin rus Rijazan, në jug të Moskës.
Lufta trevjeçare shkaktoi vdekjen e dhjetëra mijëra ushtarëve dhe civilëve dhe shkatërroi zona të tëra të këtij vendi./REL
LEXO EDHE:
Arrestohet një person i dyshuar për vjedhje të rëndë në Pris...
BILD: Liverpool ka vendosur që Xabi Alonso të jetë trajneri ...
Bastiset banesa e Shkëlzen Gashit, Policia e Krimeve të Rënd...
Dyshohet se i keqpërdorën 137 mijë euro, aktakuzë ndaj dy zy...
LDK dorëzon mbi 800 dëshmi në ZRRE, kërkon hetim për njehsor...
Turqit marrin rrugë drejt Kosovës