Vrasja e “El Mencho”/ Përleshje në Meksikë, presidentja shpall masat emergjente

08:18 | 23 Shkurt 2026
E.H

Një valë e gjerë dhune ka përfshirë Meksikë pas vrasjes së baronit më të kërkuar të drogës në vend gjatë një operacioni sigurie me përfshirjen e inteligjencës amerikane.

Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, ishte udhëheqësi i kartelit Jalisco New Generation Cartel (CJNG). Ai humbi jetën pasi u plagos rëndë gjatë përleshjeve mes mbështetësve të tij dhe ushtrisë.

Sipas ministrisë meksikane të mbrojtjes, katër anëtarë të CJNG u vranë gjatë operacionit në qytetin Tapalpa, në shtetin qendror-perëndimor Jalisco, ndërsa tre ushtarë mbetën të plagosur.

Hakmarrja për vdekjen e tij çoi në përhapjen e dhunës në të paktën një duzinë shtetesh, me anëtarë të CJNG që bllokuan rrugët duke djegur automjete. Gjatë gjithë të dielës u raportua për persona të armatosur në rrugët e Jaliscos dhe zona të tjera.

Dëshmitarë okularë filmuan re të mëdha tymi që ngriheshin mbi disa qytete, përfshirë Guadalajara – një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës FIFA. Ndërkohë, qyteti turistik Puerto Vallarta u përshkrua nga turistët si një “zonë lufte”.

Guvernatori i Jaliscos, Pablo Lemus Navarro, shpalli kodin e kuq në shtet, duke pezulluar transportin publik dhe duke anuluar ngjarjet masive si dhe mësimin me pjesëmarrje fizike.

Rreth 250 postblloqe rrugore u ngritën në të gjithë vendin gjatë trazirave, 65 prej tyre në Jalisco. Në përditësimin e fundit, Kabineti i Sigurisë i Meksikës tha se vetëm katër postblloqe mbeteshin aktive në Jalisco.

Autoritetet njoftuan për 25 të arrestuar: 11 për përfshirje të dyshuar në akte dhune dhe 14 për plaçkitje e grabitje. Dyqane u përfshinë nga flakët dhe rreth 20 degë bankash u sulmuan gjatë trazirave.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se kishte “koordinim absolut” mes autoriteteve shtetërore dhe federale dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të informuar. Ajo shtoi se në shumicën e pjesëve të vendit aktivitetet vazhdojnë normalisht.

Disa linja ajrore, përfshirë Air Canada, United Airlines dhe American Airlines, kanë anuluar fluturimet drejt Jalisco.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të qëndrojnë të strehuar në pesë shtete: Jalisco, Tamaulipas, zona të Michoacán, Guerrero dhe Nuevo León. Ndërsa qeveria ebritanike paralajmëroi për “incidente serioze sigurie” në Jalisco, duke kërkuar kujdes ekstrem dhe ndjekjen e udhëzimeve të autoriteteve lokale.

Sekretarja e Shtypit e SHBA-së, Karoline Leavitt, e përshkroi El Menchon si një “objektiv kryesor” për qeveritë e Meksikës dhe SHBA-së, duke e akuzuar si një nga trafikantët kryesorë të fentanilit. Sipas saj, tre anëtarë të kartelit u vranë, tre u plagosën dhe dy u arrestuan gjatë operacionit, për të cilin SHBA-të kishin ofruar informacione.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme