UNHCR: Refugjatët nga ishujt grekë duhet të zhvendosen

18:48 | 6 Janar 2017
Trina Galanxhi

Kushtet e këqija të refugjatëve në ishujt grekë në Detin Egje tregojnë se procesi i lëvizjes së tyre drejt tokës greke duhet të përshpejtohet, deklaruan të premten nga zyra e Komisionerit të Lartë të OKB për Refugjatët (UNHCR), transmeton Anadolu Agency (AA).

Adrian Edwards, zëdhënës i UNHCR-së, duke folur në Gjenevë, theksoi se kushtet në shumë vende në ishujt mbeten “shumë të këqija”. Ai shtoi se UNHCR është e shqetësuar edhe në lidhje me parashikimin e motit për fundjavë, sipas së cilës temperatura do të bien në mënyrë të konsiderueshme.

“Ritmi i ngadaltë i regjistrimit ose identifikimit të personave në nevojë dhe mungesat e mëparshme të hapësirës adekuate në Greqi janë faktorët që kanë ngadalësuar transferimin e refugjatëve”, tha Edwards.

Rënie rekord e numrit të refugjatëve që kanë kaluar në Greqi

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) ka deklaruar se në vitin 2016 është zvogëluar për 80 përqind numri i refugjatëve që kanë kaluar në Greqi përmes rrugëve detare.

Pas arritjes së marrëveshjes për ripranimin e refugjatëve mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE), është shënuar rënie rekord në numrin e refugjatëve që kanë kaluar nga Turqia në Greqi vitin e kaluar.

Sipas raportit të fundvitit nga IOM, në vitin 2016 përmes Detit Mesdhe në Evropë, me theks të veçantë Greqi dhe Itali, kanë arritur 363.348 refugjatë, që paraqet rënie për 645 mijë në krahasim me vitin 2015.

Vitin e kaluar përmes Libisë dhe Egjiptit, që njihet si rruga qendrore e Mesdheut, në Itali kanë arritur 181.436 refugjatë, ndërkohë që jetën në këtë rutë kanë humbur 4.576 persona.

Ndërkaq, në vitin 2016 në Greqi kanë shkelur 173.561 refugjatë dhe në Spanjë 8.162. Në rrugën lindore të Mesdheut jetën e kanë humbur 434 refugjatë, ndërsa në atë perëndimore 69 refugjatë. Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i refugjatëve që kanë humbur jetën në Mesdhe në vitin 2016 arriti në 5.079.

Ndërkaq, në vitin 2015, kur edhe u nënshkrua marrëveshja mes Turqisë dhe BE-së për ripranimin e migrantëve, në Greqi arritën 853.650 refugjatë. Pas marrëveshjes në fjalë, vitin e kaluar numri i refugjatëve që kanë kaluar në Greqi ka rënë për 80 përqind në krahasim me një vit më parë.

Nga ana tjetër, William Lacy Swing, drejtori i përgjithshëm i IOM-së, ka theksuar se personat që braktisin vendet e përfshira nga konfliktet, si Afrika dhe Siria, kanë bindjen se do të shpëtohen kur të arrijnë në det. Swing ka thënë se në vend të taktikave paraprake që janë provuar me refugjatët, në vitin 2017 është e nevojshme të gjenden zgjidhje të reja për problemin.

Sipas të dhënave nga IOM, në vitin 2016 në botë jetën e kanë humbur gjithsej 7.495 refugjatë.

Shpërndaje në rrjete sociale