Ukraina vendos sanksione ndaj Lukashenkos

17:28 | 18 Shkurt 2026
Q L

Ukraina njoftoi sot një paketë të re sanksionesh ndaj presidentit të Bjellorusia, Alexander Lukashenko, duke u zotuar se do të “rrisë ndjeshëm kundërmasat” ndaj Minskut për mbështetjen që i ka dhënë Rusia gjatë luftës.

Bjellorusia, një nga aleatet më të afërta të Moskës, shërbeu si pikënisje për pushtimin rus në vitin 2022, duke lejuar trupat ruse të afrohen drejt kryeqytetit ukrainas përpara se të zmbrapseshin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në rrjetet sociale se Kievi do të “intensifikojë ndjeshëm kundërmasat ndaj çdo forme bashkëpunimi (të Lukashenkos) në vrasjen e ukrainasve”.

Zelensky theksoi se Bjellorusia, e cila ndan mbi 1.000 kilometra kufi me Ukrainën, ka ndihmuar sulmet masive me dronë të Rusisë ndaj territorit ukrainas.

Edhe pse nuk ka pasur luftime aktive përgjatë kufirit Ukrainë–Bjellorusi, sipas Zelenskyt, në gjysmën e dytë të vitit 2025 Minsku lejoi Rusinë të vendoste në territorin e saj një sistem stacionesh transmetimi për kontrollin e dronëve të përdorur në sulme kundër Ukrainës.

“Rusët nuk do të mund të kryenin disa nga sulmet, veçanërisht ndaj objekteve energjetike dhe hekurudhave në rajonet tona, pa një ndihmë të tillë nga Bjellorusia”, u shpreh ai, duke njoftuar gjithashtu ndalimin e hyrjes së Lukashenkos në Ukrainë.

Një lëvizje kryesisht simbolike

Duke qenë se Lukashenko ndodhet tashmë nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, masa e re konsiderohet gjerësisht simbolike. Megjithatë, Zelensky theksoi se Ukraina do të punojë me partnerët e saj për të siguruar që masat e reja të kenë “ndikim global”.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka lehtësuar pjesërisht sanksionet ndaj tre kompanive bjelloruse që prodhojnë potas përbërës kyç në plehra kimike pasi Bjellorusia liroi 123 të burgosur politikë.

Një nga ish-të burgosurat politike, Maria Kalesnikava, u bëri thirrje vendeve evropiane të ndjekin shembullin e Uashingtonit dhe të nisin dialog me Lukashenkon, duke argumentuar se izolimi i mëtejshëm do të forconte ndikimin rus në Bjellorusi.

Raketat Oreshnik dhe furnizimet për luftën

Zelensky deklaroi se mbi 3.000 sipërmarrje bjelloruse furnizojnë Rusinë në përpjekjet e saj luftarake, përfshirë me komponentë për raketa. Ai përmendi gjithashtu planet e Minskut për të vendosur në territorin e tij raketa balistike ruse me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”.

Moska publikoi në dhjetor pamje që tregonin vendosjen e sistemit raketor Oreshnik në Bjellorusi, ndërsa Lukashenko deklaroi se sistemi është i dislokuar dhe në gatishmëri luftarake.

Zhvillimet e fundit sinjalizojnë një tjetër përshkallëzim diplomatik mes Kievit dhe Minskut, në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon të ndikojë në balancat e sigurisë në Evropën Lindore.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme