Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të mbështesë Ukrainën teksa mbrohet prej pushtimit rus, kur të nisë një vizitë në Londër, më 10 shtator, për t’u takuar me kryeministrin britanik, Keir Starmer, dhe zyrtarë tjerë britanikë.
Blinken, po ashtu, pritet të deklarohet edhe për luftën në Gazë, dhe paktin AUKUS për mbrojtje, në mes të Uashingtonit, Londrës dhe Kanberras.
Mirëpo, raportimet e fundit se Irani e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike me rreze të shkurtër, nënkuptojnë që Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të synojnë të rrisin koordinimin ndaj veprimeve që disa i shohin si përforcim të përpjekjeve të Moskës për luftën në Ukrainë.
E përditshmja amerikane, Wall Street Journal dhe disa media tjera amerikane kanë cituar burime anonime të kenë thënë se raketat iraniane janë transferuar në moment kyç, në luftën 36 mujore të Rusisë në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe disa vende anëtare të NATO-s kanë inkurajuar mbështetjen e Kievit, dhe heqjen e kufizimeve, se si dhe kur forcat ukrainase mund t’i përdorin armët e Perëndimit në konflikt.
Bashkimi Evropian ka thënë më 9 shtator se ekziston informacion kredibil, i siguruar prej aleatëve, që Irani ka dërguar raketa balistike me rreze të shkurtër në Rusi, për t’i ndihmuar në luftë, andaj blloku evropian është zotuar për përgjigje “të shpejtë”.
Kremlini nuk i ka kundërshtuar direkt akuzat për sigurim të armëve prej Iranit, dhe ka folur për bashkëpunimin me Teheranin “në fushat më të ndjeshme”, derisa Irani i ka kundërshtuar ashpër sugjerimet.
“Ne kundërshtojmë ashpër pretendimet për rolin e Iranit në eksportim të armëve për njërën palë në luftë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani, në një konferencë për media.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “të alarmuara nga raportimet për transferim të armëve iraniane në Rusi”./rel
Policia e ndjek nëpër mal dhe e kap të dyshuarin që e dogji ...
Grabitje e armatosur në një barnatore në Pejë, dy të dyshuar...
Juventusi interesohet për shërbimet e portierit të klubit të...
Kurti: Kriminelët e mëdhenj serb ose janë në burgun e Dyzit,...
Kurti “punëson” gjyshërit: Nga 100 euro shtesë për ata që ku...
Isak dyshohet se e ka thyer këmbën