Turqia ka pezulluar të gjithë tregtinë me Izraelin për shkak të ofensivës së saj në Gaza, duke përmendur tragjedinë e përkeqësuar humanitare në Rripin e Gazës.
Ministria turke e tregtisë tha se masat do të jenë në fuqi derisa Izraeli të lejojë një “fluks të pandërprerë dhe të mjaftueshëm” ndihme në Gaza. Tregtia midis dy vendeve ishte me vlerë pothuajse 7 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Ministri i Jashtëm i Izraelit akuzoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan se po vepron si një “diktator”. Israel Katz tha në X se Erdogan “po shpërfillte interesat e popullit dhe biznesmenëve turq dhe po injoronte marrëveshjet tregtare ndërkombëtare”. Në një deklaratë, Turqia tha se pezullimi i tregtisë mbulonte “të gjitha produktet”.
Në vitin 1949, Turqia ishte vendi i parë me shumicë myslimane që njohu Izraelin. Por marrëdhëniet janë përkeqësuar në dekadat e fundit.
Në vitin 2010, Turqia ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin pasi 10 aktivistë turq pro-palestinezë u vranë në përleshjet me komandot izraelite që hipën në një anije në pronësi turke duke u përpjekur të thyenin bllokadën detare të Izraelit në Rripin e Gazës.
Marrëdhëniet u rivendosën në vitin 2016, por të dy vendet dëbuan diplomatët kryesorë të njëri-tjetrit dy vjet më vonë në një mosmarrëveshje mbi vrasjen e palestinezëve nga Izraeli mes protestave në kufirin Gaza-Izrael.
Erdogan është bërë gjithnjë e më i ashpër në kritikat e tij ndaj Izraelit që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar.
Izraeli është vënë nën kritika në rritje për kushtet në Rripin e Gazës. Një vlerësim i mbështetur nga OKB-ja tha muajin e kaluar se 1.1 milion njerëz po përballeshin me urinë katastrofike qe ishte e pashmangshme në Gazën veriore deri në maj.
Një raport i fundit i mbështetur nga OKB-ja ofroi prova të forta statistikore se katastrofa humanitare në Gaza po kthehej në një krize urie të shkaktuar nga njeriu./rtk
Pejë: Dorëzohet në polici i dyshuari për plagosjen e 22 dhje...
Hetuesja policore në Suedi mori pushim mjekësor, por u zbulu...
Tërmeti i fuqishëm trondit Meksikën, ndërpritet konferenca e...
Përditësohen të dhënat për gjendjen në pikat kufitare – Prit...
KFOR dhuron pajisje mjekësore për Shoqatën e Kërkim-Shpëtimi...
Emigrimi i shqiptarëve drejt ShBA, ICE: Mos t’ju shkojë mend...