Google ADS

Turqia ndërton mur në kufi me Iranin për të ndaluar refugjatët afganë

08:20 | 21 Gusht 2021
A. B.

Turqia po forcon kufirin e saj me Iranin për të ndaluar fluksin e mundshëm të afganëve që po largohen nga vendi i tyre për shkak të sundimit të talebanëve.

Disa refugjatë që janë larguar që prej disa javësh nga Afganistani, kanë filluar të shfaqen në zonën kufitare të Turqisë me Iranin.

Turqia po ndërton një mur betoni 3 metra të lartë në kufi me Iranin, në mënyrë që afganët ta kenë të pamundur kalimin e kufirit. Mediat vendase raportuan se muri është planifikuar të ketë shtrirje prej 241 kilometrash, ndërsa deri tani është ndërtuar një pjesë prej 155 kilometrash, më shumë se gjysma e tij.

Turqia ka qenë një pikë kyçe tranziti për refugjatët që largohen si arsye e luftës dhe persekutimeve nga vendi i tyre, me destinacion Evropën.

Autoritet turke njoftuan se forcat e sigurisë në vend kanë parandaluar kalimin e mbi 69 mijë emigrantëve të parregullt, ndërsa kanë arrestuar 904 persona që dyshohet se kalonin refugjatë të paligjshëm në Turqi.

Këtë javë, Erdogan tha se Turqia po përballet me një valë të re refugjatësh nga Afganistani. Sipas presidentit turk, stabiliteti në Afganistan do të bënte që më pak persona të largoheshin nga vendi, ndaj deklaroi se kabineti i qeverisë turke do të punojë me Pakistanin për të sjellë stabilitet në vendin e shkatërruar nga lufta.

Erdogan u bëri thirrje vendeve evropiane të enjten që të mbajnë përgjegjësi për afganët që po largohen nga vendi i tyre për shkak të talebanëve dhe tha se Turqia nuk do të bëhet “magazina e refugjatëve për në Evropë”.

Shpërndaje në rrjete sociale