Turqia arreston mbi 350 të dyshuar, si pjesë e një operacioni kundër ISIS-it

15:35 | 30 Dhjetor 2025
A Z

Një total prej 357 të dyshuarish u arrestuan në të gjithë Turqinë si pjesë e një operacioni kundër grupit terrorist ISIS (DEASH), tha sot ministri i Brendshëm i vendit, Ali Yerlikaya.

Në një postim të ndarë në platformën turke të mediave sociale NSosyal, Yerlikaya tha se operacionet e njëkohshme kundër terrorizmit në 21 provinca rezultuan në ndalimin e të dyshuarve.

Ai deklaroi se operacionet u kryen nga njësitë e policisë provinciale në koordinim me zyrat e kryeprokurorëve publikë si dhe departamentet e policisë kundër terrorizmit dhe inteligjencës, duke shtuar se Turqia nuk do të tregojë tolerancë ndaj terrorizmit.

Më parë, Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit tha se 110 të dyshuar u arrestuan në metropol, duke bërë të ditur se 41 prej tyre ishin të lidhur me terroristët e përfshirë në incidentin terrorist të së hënës në provincën Yalova dhe po planifikonin sulme të ngjashme në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri.

Zyra e Kryeprokurorit Publik të Ankarasë tha se lëshoi urdhër-arreste për 17 të dyshuar terroristë të ISIS-it, përfshirë 11 shtetas të huaj. Të dyshuarit, përfshirë 11 shtetas të huaj akuzohen se janë anëtarë të grupit terrorist dhe kanë mbajtur kontakte me zonat e konfliktit, thuhet në deklaratë.

Ajo tha se Byroja e Hetimit të Krimeve Terroriste i identifikoi të dyshuarit përmes analizave të materialeve digjitale të sekuestruara gjatë hetimeve të mëparshme në lidhje me ISIS-in. /AA